Vitia: Synohet përmirësimi i sistemit shëndetësor
Foto: RTKlive
Shëndetësi

Vitia: Synohet përmirësimi i sistemit shëndetësor

J.Musliu/RTKlive

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, deklaroi se e ka për synim të vazhdueshëm përmirësimin e qasjes dhe ofrimin e shërbimeve shëndetësore për të gjithë qytetarët e saj.

Në aktivitetin e organizuar nga Ministria e Shëndetësisë me OBSh-në për shënimin e Ditës Botërore të Shëndetësisë e cila këtë vit me temën “Shëndet për të gjithë”, ministri Vitia  u shpreh se synim i kësaj ministrie është ruajtja dhe përparimi i shëndetit duke promovuar jetesën e shëndetshme.

“Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar për të trajtuar pabarazitë dhe shkaqet themelore të tyre, jemi në proces dhe do të vazhdojmë rritjen e investimeve në Kujdesin Parësor Shëndetësor në mënyrë që qytetarët të kenë sa më shumë qasje dhe sa më shumë shërbime”, tha ai.

Duke fol për investimet në shërbimet mjekësore, Vitia tha se mbetet shqetësues fakti se për shkak të gjendjes sociale, një pjesë e qytetarëve nuk kanë qasje në shërbimet shëndetësore.

Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenien Sociale, Fatmire Mulhaxha- Kollçaku theksoi se nuk duhet pajtuar se nëse të gjithë kontribuojnë, do të evitohen faktorët e riskut, ata gjenetik, ambiental e ekonomik.

“Edhe pa investime të mëdha thjesht me riorganizim të punës aty disa prej problemeve mund të tejkalohen”, u shpreh ajo.

Drejtori i Institutit të Kosovës për Shëndetin Publik, Naser Ramadani u shpreh se qëllimi i shënimit të kësaj dite është vetëdijesimi për veprimet urgjente për një planet të shëndetshëm.

Shefi i Zyrës së OBSh-së në Prishtinës, Oleksandr Martynenko u shpreh se secili qytetar duhet të ketë mundësi të barabartë për të qenë i shëndetshëm, të trajtohet kur të ketë nevojë dhe po ashtu për të parandaluar sëmundjet.

Më 7 prill shënohet edhe 75 vjetori i Organizatës Botërore të Shëndetit në Kosovë.

 


MË SHUME NGA Shëndetësi