Qeveria e Luksemburgut mbështetë Ministrinë e Shëndetësisë së Kosovës
M.Miftari/ RTKLive
Sot para Ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, dhe Sekretarit të Përgjithshëm, Naim Bardiqi, në prezencë të Ambasadorit të Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz, ekipi i ekspertëve të angazhuar nga LUX-Dev, u prezantua propozimi për projektin “KSV-022 Project (2023-2025)” që pritet të mbështesë Ministrinë e Shëndetësisë në tre vjetët e ardhshëm.
Siç njofton zyra për Informim e Ministrisë së Shëndetësisë, vlera e projektit do të jetë 6 milionë euro, i financuar nga Qeveria e Dukatës së Luksemburgut.
Qëllimi i projektit do të jetë në ofrimin e kontributit për “Përmirësimin e qasjes në shërbimet cilësore të kujdesit shëndetësor për popullatën e përgjithshme”.
Objektiva e projektit synon të përmirësojë cilësinë e shërbimeve shëndetësore përmes inovacionit dhe digjitalizimit.
Rezultati i këtij projekti do të jetë themelimi i Qendrës së Dijes dhe Inovacionit për shërbime shëndetësore cilësore në Kosovë.