MSH deri më tani ka hartuar 26 udhërrëfyes dhe 5 protokolle klinike
Venera Adili|RTK
Mungesa e Udhërrëfyesve dhe Protokolleve Klinike për disa sëmundje ka krijuar mundësi të keqpërdorimeve e dëmtim të buxhetit të qytetarëve. Në mungesë të tyre, mjekët japin rekomandime të ndryshme për trajtimin e problemeve shëndetësore të njëjta.
Deputetët kërkojnë nga Ministria që të ndërmarrë hapat e nevojshëm për përditësimin e tyre. Ministria e Shëndetësisë është në proces të përpilimit për 12 udhërrëfyes e 6 protokolle klinike.
Trajtimi i disa sëmundjeve nga profesionistët shëndetësorë bëhet në mënyra të ndryshme për shkak të mungesës së protokolleve klinike.
Deputeti Haxhi Avdyli që është edhe mjek thotë se vërehet tendencë e mbi trajtimit dhe e mbidozimit nga ana e mantelbardhëve. Sipas tij, Ministria e Shëndetësisë duhet të veproj që të evitohen keqpërdorimet.
Ish-ministri i shëndetësisë, deputeti Armend Zemaj, thotë të kenë punuar këto dokumente edhe në kohë pandemie derisa drejton kritika për siç thotë ai mos punën e qeverisë.
Në ministrinë e Shëndetësisë thonë se janë duke punuar ku 12 Udhërrëfyes e 6 Protokolle janë në proces të vlerësimit nga Komisioni për vlerësimin e metodologjisë së hartimit të tyre.
Sipas Ministrisë, deri tash janë hartuar 26 udhërrëfyes dhe 5 protokolle klinike derisa janë marrë parasysh edhe shume propozime te reja nga institucionet shëndetësore.