Mbyllen punimet e Kongresit të Dytë i Odës së Fizioterapeutëve të Kosovës
RTKlive
Me pjesëmarrjen e rreth 1 mijë profesionistëve dhe me mbi 30 prezantime të profesorëve dhe ligjëruesve tjerë, janë mbyllur punimet e Kongresit të Dytë Ndërkombëtar të Fizioterapisë të organizuar nga Oda e Fizioterapeutëve të Kosovës.
Kongresi i Dytë Ndërkombëtar i Fizioterapisë i organizuar nga Oda e Fizioterapeutëve të Kosovës, ka mbyllur me shumë sukses punimet dy ditore. Në këtë Kongres kanë marr pjesë afër 1 mijë profesionistë, ndërsa kanë prezantuar hulumtimet dhe punimet e tyre mbi 30 profesorë dhe ligjërues të tjerë.
Punimet i ka mbyllur Presidenti i Kongresit Bekim Haxhiu, i cili tha se ky ishte kongresi më i mirë ndonjëherë jo vetëm i fizioterapisë.
“Kemi qenë të nderuar me pjesëmarrjen dhe prezentimet e ligjëruesve nga universitetet më të mira të Evropës, por edhe të kolegëve tanë të cilët kanë prezantuar hulumtimet e tyre qoftë nga evidenca në Kosovë apo nga arena ndërkombëtare. Mirënjohje për të gjithë që punën e tyre e kanë dokumentuar me punime shkencore dhe këtu I inkurajoj të gjithë kolegët që të punojnë më shumë në publikime shkencore”, ka deklaruar Haxhiu.
Haxhiu e ka konsideruar këtë Kongres si një hap të madh të Odës së Fizioterapeutëve të Kosovës.
“Punimet ishin shumë kualitative. Mund të them se është kongresi më i mirë dhe përtej me kualitetin e punimeve që janë prezantuar. Ky është një hap i madh i joni si fizioterapeutë dhe si Odë e Fizioterapisë dhe meritat i takojnë kryetarit, dy nënkryetarëve, Këshillit Drejtues, Këshillit organizativ, Këshillit shkencor, dhe të gjithë vullnetarëve dhe studentëve që na ndihmuan që ky organizim të jetë kaq i shkëlqyer”, ka deklaruar Haxhiu.
Në mbyllje të Kongresit janë ndarë edhe çmimet për prezantimet më të mira si dhe mirënjohje për kontribuuesit e këtij organizimi.