Ndërgjegjësimi për shëndetin mendor|Video
Fatos Cervadiku/RTK
Shëndeti mendor është një temë për të cilën diskutohet shumë, mirëpo që konsiderohet se niveli i trajtimit të kësaj çështjeje nuk është i kënaqshëm. Andaj me qëllim të ndërgjegjësimit për këtë temë, sot në Prishtinë për herë të parë u mbajt një marsh.
Niveli i shëndetit mendor në vend nuk konsiderohet i kënaqshëm nga profesionistë të kësaj fushe. Psikologu Naim Telaku thotë se ka ende mungesë të kujdesit ndaj shëndetit mendor.
“Vazhdon me qenë evident një mungesë e madhe e informacioneve të mirëfillta fillimisht për rëndësinë jashtëzakonisht të madhe që e ka kujdesi për shëndetin mendor. Ekziston një mungesë e madhe e vetëdijes për natyrën e çështjeve specifike të ndërlidhura me shëndetin mendor e cila për pasojë ka mungesën e kujdesit për shëndetin mendor “, tha Naim Telaku, psikolog.
Pikërisht për vetëdijesimin për shëndetin mendor sot për herë të parë është mbajtur marsh ndërgjegjsëues.
“Jemi mbledhur e po marshojmë duke kërkuar për vëmendje të shtuar karshi shëndetit mendor me një zë pothuajse të ngulfatur nga siguria e bindja se institucionet shtetërore duhet të i shumëfishojnë investimet e tyre në shërbimet, politikat dhe praktikat e shëndetit mendor”, tha Veronë Perçuku, Qendra për Hulumtime Psiko-Sociale dhe Mjekësore.
“Arsyeja pse jemi mbledh këtu është që shëndeti mendor nuk është konsideruar deri me tash si një domosdoshmëri ose si një pjesë e shëndetit të përgjithshëm kjo për arsye se nuk ka shërbime të shëndetit mendor të qasshme për të gjithë njerëzit”, tha Arlinda Gashi, neuropsikologe.
Aty u kërkua, ndër të tjera, edhe themelimi i një Ode të Psikologëve.