Profesionistët shëndetësorë nga diaspora kërkojnë veprime konkrete|Video
Shëndetësi

Profesionistët shëndetësorë nga diaspora kërkojnë veprime konkrete|Video

Venera Adili/ RTK

Përfaqësues të Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Evropë kanë kërkuar veprime konkrete institucionale që të kontribuojnë në shëndetësinë kosovare. Ata janë të gatshëm për bashkëpunim, por kërkojnë krijimin e kushteve, përfshirë edhe ato legjislative. Procedurat burokratike kanë imponuar që ata të drejtohen te sektori privat. Kështu kanë thënë nga Federata e Mjekëve Shqiptarë në Evropë.

Thirrja për kontribut në vendlindje nuk qe e mjaftueshme për profesionistët shëndetësorë që punojnë në vendet evropiane.

Krahas vullnetit që kanë, mantelbardhët janë në pritje të krijimit të mundësive që t’i përgjigjen pozitivisht ftesës e të mos përfundojnë në sektorin privat.

 “Ata të cilët dominojnë në kuadër të federatës janë ata mjek që duan të kontribuojnë duke ardhur në një fundjavë në Kosovë, duke kontribuar me anë të vizitave përmes telemedicinës dhe mos të harrojmë edhe procedurat burokratike me të cilat përballen dhe kjo i detyron të përfundojnë në sektorin privat dhe kjo pastaj nuk ka të bëj më me kontributin vullnetarë”, tha Aurora Dollenberg, kryetare e Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Evropë.

Nexhip Sopa, gjinekolog dhe ekspert i fertilitetit në Danimarkë tha se për të pasur një efekt duhet të konkretizohen gjërat.

“Jam i ftuar por për të pasur një efekt duhet të konkretizohen gjërat. Është e pamundur që të vij si individ dhe të bëj diçka kur unë atje punoj me gjëra që defakto nuk ekzistojnë në Kosovë si infertiliteti është në sektorin privat por jo edhe në atë shoqëror”, tha Sopa.

Ndërkohë, numri i mjekëve shqiptarë nga Evropa që mund të punojnë drejtpërdrejt me pacientët kosovarë është i ulët.

 “Kthimi direkt i profesionistëve nga një vend evropian për të qëndruar në Kosovë është me një përqindje të ulët vetëm ata që e kanë kaluar një moshë të caktuar pothuajse e kanë përmbyllë karrierën e tyre profesionale janë të gatshëm të kthehen 100 % ”, tha Dollenberg.

Dollenberg konsideron se duhet rritur përgjegjësia e secilit për ta përmirësuar sistemin shëndetësor, derisa thekson se projektet për bashkëpunim që fillojnë duhen vazhduar, pavarësisht ndërrimit të pushteteve.


MË SHUME NGA Shëndetësi