Shtohet numri i rasteve me kancer
Venera Xhoxhaj-Adili / RTK
Qytetarët kanë marrë informacione për Melanomën, përmes një fushate të organizuar nga Shoqata e Onkologëve të Kosovës, në bashkëpunim me përfaqësuesen kosovare të Euromelanomës.
Profesionistët shëndetësorë konsiderojnë se ka tendencë të rritjes së numrave të raportuar të kësaj sëmundjeje.
Ata bëjnë thirrje për kujdes derisa kërkojnë nga institucionet mbështetje për pajisje e barna të nevojshme për trajtimin e rasteve.
Profesionistët shëndetësorë me vetë iniciativë kanë dalë të shpërndajnë informacione për sëmundjen kanceroze.
Arben Bislimi nga Shoqata e Onkologëve konsideron se është i nevojshëm sensibilizimi në kohën kur ka shtim të numrit të rasteve.
“Ka tendencë të rritjes së sëmundjes në nivel global, nëse nuk gaboj në këtë 3 mujor janë afërsisht 10 raste në klinikën onkologjike”, ka thënë Bislimi.
Kurse Sidita Sopjani, Dermatologe, ka thënë se statistikat dermatoskopike nga janari janë 52 raste në raport 3 me 1 meshkuj femra.
Onkologët madje kanë kërkuar që të ndiqen trendet botërore edhe për përcaktimin e ilaçeve që trajtojnë sëmundjet. Sipas tyre lista e barnave duhet të jetë më e pasur.
“Edhe kufizimet buxhetore diskutohen në nivele të tjera por si profesionist mendoj se duhet të shtohet gama e preparative në trend me gjithë botën”, ka shtuar Bislimi.
Ministria e shëndetësisë tashmë ka miratuar listën e barnave esenciale të reviduar nga komiteti përkatës.
Megjithëse ministri i shëndetësisë Arben Vitia nuk e pranoi onkologët tregojnë se nuk janë marrë parasysh kërkesat e tyre për futjen e barnave të reja për çka RTK-ja kishte raportuar edhe më herët.
Onkologët thonë se në listën e barnave esenciale, të reviduar nga komiteti përkatës, duhen futur barna të reja.