Vitia premton në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore
M.Miftari /RTKlive
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në kuadër të vizitave në klinikat e ndryshme në QKUK, ka vizituar Klinikën e Gastroenterologjisë me Hepatologji.
Përmes një komunikate për media, ministri Vitia u prit nga drejtoresha e kësaj klinike, Fitore Komoni, e cila e njoftoi atë për punën e kësaj klinike.
Sipas saj, përgjatë 6 mujave të parë të këtij viti, janë realizuar 1 mijë e 33 gastroskopi dhe 709 kolonoskopi, që dëshmon se në Klinikën e Gastroenterologjisë me Hepatologji janë shtuar kërkesat e qytetarëve për të marrë shërbime.
Nga ana e tij, ministri Vitia tha se Ministria e Shëndetësisë mbetet e angazhuar që të krijojë parakushte sa më të favorshme për qytetarët që marrin shërbime në institucionet publike, derisa kërkoi nga stafi udhëheqës që t’i adresojnë të gjitha kërkesat të cilat do të ndikojnë në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore, sidomos në rastet kur kërkesat për diagnostikim dhe trajtim të pacientëve janë më të shpeshta.
























