Vitia: Prioritet në shëndetësi do të jetë investimi në Gjinekologji
M.P. / RTKlive
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia bashkë me drejtorin e ShSKUK-së, Elvir Azizi, kanë vizituar Klinikën e Gjinekologjisë. Vitia tha se prioritet i shëndetësisë do të jetë investimi në infrastrukturën e kësaj klinike.
“Në këtë drejtim, pas ndërtimit të Klinikës së Pediatrisë, është parë si i domosdoshëm intervenimi në Klinikën e Gjinekologjisë, ku marrin shërbime dhe sjellin në jetë shumë foshnje, gratë dhe vajzat tona. Ato meritojnë kushte të dinjitetshme dhe për këtë arsye që nga fillimi Klinika e Gjinekologjisë është prioritet i investimeve”, ka thënë Vitia gjatë takimit, njofton MSH.
Gjithashtu, edhe sa i përket Fekondimit të Asistuar Mjekësor (FAM), ai njoftoi se procedurat janë në finalizim në mënyrë që ky shërbim të ofrohet deri në fund të vitit. Ndërsa, veçoi edhe projektin e “Mjekësisë Fetale”.
Drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë, Zef Ndrejaj e informoi ministrin Vitia se në Klinikën e Gjinekologjisë, kanë arritur dy (2) pajisje mjekësore, ultratinguj në vlerë të rreth 150 mijë euro, donacion nga “Fondi për Mjekësi Fetale” me seli në Londër.























