Rifillon shërbimi i infuzioneve në Mitrovicë dhe Vushtrri
V.Th. RTKlive
Pas kontrolleve të Inspektoratit Shëndetësor, institucionet e Kujdesit Parësor Shëndetësor në Mitrovicë dhe Vushtrri rifillojnë me shërbimin e infuzioneve.
“Pas ankesave të pranuara nga qytetarët se në Komunën e Mitrovicës dhe në Komunën e Vushtrrisë është ndërprerë dhënia e infuzioneve në nivelin e Kujdesit Parësor Shëndetësor (KPSh), Inspektorati Shëndetësor ka realizuar inspektime specifike në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Mitrovicë dhe QKMF në Vushtrri”, njofton Ministria e Shëndetësisë.
Sipas njoftimit të ministrisë, gjatë inspektimeve, nga stafi udhëheqës është kërkuar që të respektohet ligji në fuqi, Udhëzimi Administrativ UA 04/2020 dhe rregulloret të cilat obligojnë institucionet e kujdesit parësor shëndetësor që të ofrojnë trajtimin ditor me infuzione.
Ndërsa sipas raportit, përderisa në Komunën e Vushtrrisë kjo terapi është dhënë kryesisht, por ka munguar me raste, në QKMF në Mitrovicë është konstatuar se nuk është vepruar sipas ligjit në fuqi i cili ua siguron qytetarëve edhe shërbimet intravenoze nën mbikëqyrjen e mjekut familjar.
“Udhëheqësit e QKMF-ve në të dy komunat janë urdhëruar që konform legjislacionit në fuqi të rifillojë shërbimi i dhënies së infuzioneve që qytetarët të kenë mundësi të shfrytëzojnë këto shërbime shëndetësore”, thuhet tutje nga ministria.
Aksionet e Inspektoratit Shëndetësor do të vazhdojnë do të ndërmerren masa të pakopromis ndaj çdo institucioni i cili nuk i respekton ligjet në fuqi.























