MSH: 30 mijë euro për shërbime mjekësore që nuk kryhen në vend
M.P. / RTKlive
Nga sot e tutje, qytetarët të cilët kanë nevojë të marrin trajtim shëndetësor jashtë vendit do të marrin nga Ministria e Shëndetësisë mbështetje financiare në vlerë deri në 30,000 euro brenda një viti për shërbimet që nuk ofrohen në institucionet publike shëndetësore në Kosovë. Ndërkaq 100% të shumës së ndërhyrjes do të marrin kategoritë e dala nga lufta.
Kjo si shkak i nënshkrimit të udhëzimit të ri administrativ nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në të cilën përcaktohen disa ndryshime administrative dhe përmbajtësore.
“Personat me status të invalidit të luftës, anëtarët e ngushtë të familjes së dëshmorëve, viktimat civile të luftës do të kompensohen në shumën maksimale, 100%, të vlerës së faturës. Gjithashtu, njëjtë do të përfitojnë edhe personat deri në 18 vjeç, personat me aftësi të kufizuara dhe ata që janë përfitues të ndihmës sociale. Personat mbi moshën 18 vjeçe kompensohen me 70% të vlerës së çmimit referent apo mesatares së çmimit të tri profaturave për trajtim mjekësor”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.
Ndërsa, për personat e diagnostikuar me sëmundje malinje mbi moshën 18 vjeçare është rritur vlera e kompensimit. Sipas njoftimit, udhëzimi i ri eviton zbrazëtirat që pamundësojnë ofrimin e shërbimeve për qytetarët dhe sigurojnë një proces të rregullt dhe transparent.
“UA Nr: 03/2023 ka thjeshtuar edhe procedurat e aplikimit për qytetarët, ndërsa referimi dhe përgjegjësia do të jetë tek profesionistët shëndetësor kompetent të cilët rekomandojnë trajtimin jashtë vendit”, vazhdon komunikata e MSH-së.























