Ekspertët turq do të realizojnë operacione kardiokirurgjike tek fëmijët
V.Th. RTKlive
Një ekip i mjekëve dhe ekspertëve nga Turqia, gjatë javës do të kryejnë 16 operacione kardiokirurgjike tek fëmijët me probleme në zemër.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, Ambasadori i Turqisë në Kosovë, Tunç Angili dhe drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar, Elvir Azizi, kanë mirëpritur të hënën ekipin e mjekëve dhe ekspertëve nga Turqia, njofton Ministria e Shëndetësisë.
Sipas njoftimit ky ekip i mjekëve po ashtu do të realizojnë edhe 30 intervenime të tjera kardiologjike, përfshirë koronarografi dhe stentime dhe raste elektrofiziologjike.
Me këtë rast, ministri Vitia ka falënderuar ambasadorin turk dhe ekspertët nga Turqia për kontributin e vazhdueshëm që po japin për shëndetësinë kosovare.
Ai ka thënë se Ministria e Shëndetësisë është e përkushtuar për avancim të shërbimeve shëndetësore, andaj përkrahja dhe mbështetja e ekspertëve është e mirëseardhur.
Ambasadori i Turqisë, Tunç Angili, duke ju dëshiruar mirëseardhje ekspertëve nga Turqia, tha se ndihet i nderuar që është pjesë e këtij organizimi.
Kurse në emër të ekipit të ekspertëve ka folur Prof.dr. Alper Guzeltas, i cili fillimisht tha se ndjehet i nderuar që është udhëheqës i ekipit dhe që ka mundësi të kontribuoj për fëmijët e Kosovës.
“Ekipi i mjekëve po qëndron në Kosovë në bashkëpunim dhe mbështetje të organizatës Muntada Aid, Kabir Miah, kurse koordinimin punës e ka bërë dr. Ramush Bejiqi”, thuhet në njoftim.
























