Në QKUK u nënshkruan dy projekte në kuadër të grantit të ndihmës japoneze
Arbana Hajredinaj /RTK
Ndihmat japoneze po vazhdojnë akoma në Kosovë. Japonia në vazhdimësi ka dhënë një kontribut të madh në Kosovë e, këtë herë, edhe në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës, ku është nënshkruar marrëveshja ndërmjet ministrit të Shëndetësisë së Kosovës, Arben Vitisë dhe ambasadorit japonez, Keisuke Yamanaka.
Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës është mbajtur ceremonia e nënshkrimit të dy projekteve në kuadër të grantit të ndihmës japoneze për projektet bazë të sigurisë njerëzore për vitin 2023. Ambasadori i Japonisë, Keisuke Yamanaka, tha se shëndetësia është element themelor i shoqërisë dhe Japonia do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në përpjekjet e saj për ta përmirësuar shërbimin shëndetësor për qytetarët e saj.
“Ky është premtim yni që nga pavarësia e shtetit tuaj dhe unë vij këtu për herën e dytë. Ne kemi nënshkruar marrëveshje të ndryshme në të kaluarën por shumë spitale tjera në Kosovë dhe do të vazhdojmë edhe në të ardhmen të ndihmojmë për popullin e Kosovës”, tha ambasadori i Japonnisë, Keisuke Yamanaka.
“E shfrytëzova rastin që ta falënderoj ekselencën edhe t’i falënderoj qeverinë dhe popullin japonez për gjithë kontributin e mbi të gjitha për mënyrën se si I qasen donacioneve që në shumicën e rasteve qeveria japoneze kur jep donacione jep duke dëgjuar problemet nga baza dhe këto donacione zakonisht janë donacione që afektojnë drejtpërdrejt shërbime cilësore dhe të sigurta për qytetarët në çdo vend ku kemi nënshkruar këto donacione me qeverinë japoneze”, tha Arben Vitia, ministër i Shëndetësisë.
Në Kosovë, Japonia ka dhënë kontribut të madh duke ndihmuar shumë institucione nëpërmjet donacioneve të ndryshme.























