Sadiku për gripin sezonal: QMF-të në kryeqytet me mbi 200 pacientë në ditë
M.P. / RTKlive
Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Izet Sadiku, në një intervistë për RTK-në ka thënë se mbi 200 pacientë janë trajtuar në baza ditore në Qendrat e Mjekësisë Familjare në kryeqytet si pasojë e gripit sezonal.
“Rastet te ne në Prishtinë janë te menaxhueshme, përkundër fluksit që shkon në tri qendra të mjekësisë familjare, të cilat cilësohen si më kryesore. Në këto të tria ka pasur mbi 200 pacientë në ditë”, ka deklaruar Sadiku në edicionin e lajmeve të orës 19:30, transmeton RTKlive.
Tutje Sadiku ka thënë se pacientët duhet ta evitojnë daljen në publik. Sipas tij konsulta mjekësore duhet të bëhet në rast të komplikimit shëndetësor, e cila mund të shfaqet në ditët e fundit të gripit sezonal. Në kushte të tjera, ai ka këshilluar që terapia simptomatike të praktikohet në kushte shtëpiake, pa udhëzimin e mjekut.
“Ka pasur një rritje të numrit të pacientëve, teksa grupmoshat më të shpeshta janë ato më të ndjeshme, mbi 65 vjeç dhe fëmijët e vegjël nën 5 vjet”, ka theksuar drejtori i Shëndetësisë në krzeqytet, transmeton RTKlive.
IKSHPK ka njoftuar sot se që nga 2 tetori i vitit të kaluar e deri më 7 janar janë regjistruar rreth 40 mijë raste të gripit sezonal. Përveç 40 mijë rasteve me grip, janë regjistruar edhe gati 5 mijë raste të infeksioneve respiratore akute dhe 67 raste me infeksion të rëndë respirator.























