Godanci-Kelmendi: Sëmundja e veshkës nuk jep simptoma në stadet e para
BKT
Shëndetësi

Godanci-Kelmendi: Sëmundja e veshkës nuk jep simptoma në stadet e para

K.Kasumi/RTKlive

Sot shënohet Dita Botërore e Veshkës, me ç’rast Shoqata e Nefrologëve në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, do të organizojë aktivitete për sensibilizimin e popullatës mbi rrezikun nga sëmundjet e veshkës.

Nefrologia Vjollca Godanci-Kelmendi ka thënë se Shoqata e Nefrologëve të Kosovës e shënon çdo vit Ditën Botërore të Veshkës.

“Kjo ditë në botë shënohet që nga viti 2006, ndërsa në Kosovë nga viti 2009. Që nga ky vit ne organizojmë aktivitete ndërgjegjësimi ose sensibilizimi për popullatën në mënyra të ndryshme për të treguar rrezikun dhe si të mbrohemi nga sëmundjet e veshkës”, tha ajo në një lidhje direkte në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK.

Ajo tutje bëri të ditur se aktivitetet do të mbahen me fëmijët e Shkollës Fillore “Faik Konica” dhe ata të shkollës “Naim Frashëri” në kryeqytet.

Për këtë organizim janë përkujdesur Komuna e Prishtinës bashkë me Klinikën e Nefrologjisë në QKUK dhe Shoqatën e Nefrologëve të Kosovës. Po sot, në orën 12.00, do të mbahet konferencë shkencore, në të cilën do të paraqiten hulumtimet nga nefrologët e Kosovës dhe dy profesorëve nga Turqia.

Më tutje ajo shtoi se sëmundja e veshkës nuk jep simptoma në stadet e para të paraqitjes, prandaj duhet pasur kujdes dhe të ketë kontrollime më të shpeshta mjekësore.

“Pra, ju mund të keni humbje ose dështim të funksionit të veshkës deri në shkallën pesëmbëdhjetë përqind dhe të mos keni shenja klinike”, tha Godanci-Kelmendi.


MË SHUME NGA Shëndetësi