14 raste të `kollës së mirë` këtë vit, IKShP u bënë thirrje prindërve
BKT
Shëndetësi

14 raste të `kollës së mirë` këtë vit, IKShP u bënë thirrje prindërve

K. Kasumi / RTKlive

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës ka njoftuar për regjistrimin e 14 rasteve me kollën e mirë apo të pertusisit gjatë vitit 2024, me ç’rast u ka bërë thirrje prindërve t’i vaksinojnë fëmijët kundër kollës së mirë.

“Pertusis, që ndryshe njihet edhe si kolla e mirë, është një sëmundje ngjitëse bakteriale që përfshin traktin e frymëmarrjes. Shkaktohet nga bakteria bordetella pertussis që gjendet në gojën, hundën dhe fytin e personit të infektuar”, njofton IKShPK.

Sipas njoftimit, kjo sëmundje ngjitëse mund të shfaqet në çdo moshë, por më shpesh i prek fëmijët dhe adoleshentët. Më të rrezikuar janë fëmijët nën moshën njëvjeçare.

“Sëmundja përhapet lehtësisht nga personi në person, kryesisht përmes pikave/spërklave nga kollitja ose teshtitja e personit të infektuar.

Simptomat zakonisht shfaqen 7 deri në 10 ditë pas infektimit, por mund të shfaqen edhe deri në 21 ditë më vonë. Fillimisht simptomat ngjajnë me ato të një ftohjeje të zakonshme, duke përfshirë teshtitjen, rrjedhjen e hundës, temperaturë të ulët dhe një kollë të lehtë”, njofton instituti.

Sipas njoftimit të IKShPK-së, komplikimet më të shpeshta, sidomos te fëmijët e pavaksinuar, janë pneumonia dytësore bakteriale, komplikimet neurologjike, infeksioni i veshit të mesëm, dehidrimi, konvulsionet etj.

Kujdesi është veçanërisht i rëndësishëm për foshnjat të cilat nuk e kanë ende kohën e marrjes së dozës së parë (foshnjat prej 0-2 muaj), të cilat duhet të mbrohen nga kontaktet me persona të tjerë (nga moshat më të rritura), që mund të jenë bartës të infeksionit pavarësisht nëse kanë shenja apo jo.

“Mbrojtja më e mirë është parandalimi përmes vaksinimit të foshnjave nga mosha dymuajshe kur jepet doza e parë kundër kollës së mirë.

Në Kosovë vaksinimi kundër pertusisit bëhet sipas kalendarit të rregullt të vaksinimit. Vaksina kundër pertusisit jepet në moshën 2, 4 dhe gjashtëmuajshe, ndërsa rivaksinimi në moshën 18-muajshe”, thuhet në njoftim.

Nga sëmundjet e tjera si variçela, fruthi, etj., pertusisi mund të shfaqet tek i njëjti person më shumë se një herë gjatë jetës, sepse antitrupat që krijohen pas infeksionit ose vaksinimit bien me kalimin e kohës.

IKSHPK rithekson se çdo dozë e vaksinës ka rëndësi, sepse e rrit imunitetin dhe i mbron fëmijët nga infeksioni dhe komplikimet e mundshme, prandaj u bënë thirrje prindërve t’i përmbahen me shumë kujdes kalendarit të rregullt të vaksinimit dhe t’i vaksinojnë fëmijët sipas orareve të përcaktuara në kalendar.


MË SHUME NGA Shëndetësi