Kurti e Vitia mirëpresin inspektorët e rinj shëndetësorë dhe farmaceutikë
BKT
Shëndetësi

Kurti e Vitia mirëpresin inspektorët e rinj shëndetësorë dhe farmaceutikë

Gentiana Kelmendi|RTKlive

Kryeministri Albin Kurti, bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia dhe zëvendësministrin e Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra, mirëpritën 24 inspektorët e rinj shëndetësorë dhe 8 inspektorët e rinj farmaceutikë.

“Nga 11 inspektorë shëndetësorë po bëheni 35. Nga 12 inspektorë farmaceutikë, po bëheni 20. Pra, 32 inspektorë të rinj gjithsej, që do të thotë trefish më shumë inspektorë në fushën e shëndetësisë”, e nisi kryeministri Kurti fjalën e tij, duke vlerësuar lartë detyrën e inspektorëve, të cilët siç tha ai, janë sytë dhe veshët e ankesave të qytetarëve kur vjen puna te shërbimet shëndetësore.

Siç njoftojnë nga qeveria, me nënshkrimin e kontratave të reja, kryeministri u shpreh se duhen zgjidhje edhe për sfidat logjistike, me ç’rast janë nisur procedurat për objektin e veçantë për Inspektoratin që do të rinovohet, si dhe do të shtohet edhe flota e makinave që kontribuon në mbarëvajtjen e punës dhe shpejtësinë e rezultateve.

Ndërsa ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, shprehu falënderimet e tij në lidhje me punën e inspektorëve, duke iu referuar atyre si diga e fundit e cilësisë në shërbimet tona shëndetësore. 

Ai premtoi se të gjitha kushtet logjistike, të gjitha ato që kanë nevojë si mjete të domosdoshme për punë, hapësirat ku do të punojnë si Ministri e Shëndetësisë së bashku me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, do t’ua plotësojnë të gjitha nevojat për gjithë këtë punë të jashtëzakonshme, e cila pritet të realizohet nga ata. 

Ndërkohë, kryeministri Kurti deklaroi se do të rrisim edhe më tej numrin e inspektorëve, sepse ata janë garancia e zbatimit të ligjeve dhe trajtimit të barabartë për pacientët.


MË SHUME NGA Shëndetësi