Vitia për Kirurgjinë Vaskulare:Nuk është në kolaps, janë rritur operacionet
BKT
Shëndetësi

Vitia për Kirurgjinë Vaskulare:Nuk është në kolaps, janë rritur operacionet

Medina Pasoma / RTKlive

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në një kundërpërgjigje në seancën e Kuvendit të Kosovës, ka deklaruar se nuk ka kolaps në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare dhe se problemi i vetëm aty është mungesa e anesteziologëve.

Ai i është kundërpërgjigjur Shemsedin Dreshajt të AAK-së, duke thënë se numri i operacioneve në këtë klinikë është rritur.

“Numri i operacioneve është rritur në mbi 1400 operacione. Klinika i ka 13 mjekë vaskular, klinika ashtu siç pretendohet, nuk është në kolaps sa i përket stafit mjekësor, dhe mbulohen të gjitha shërbimet dhe tani investimet e reja që i kemi bërë 300 mijë janë infrastrukturë dhe mbi 500 mijë janë në pajisje dhe tani do të këtë edhe shërbime të reja si ato endovaskulare”, ka thënë Vitia.

Tutje, ai ka thënë se kjo klinikë pritet të ketë sallë të veçantë për listën e pritjes, transmeton RTKlive.

“Në këtë drejtim është bërë një plan i veprimit që me spitale regjionale kjo listë të shpërndahet atje ku ka kushte të mjaftueshme për këto ndërhyrje që lista të reduktohet në maksimum. I vetmi problem i cili paraqitet jo vetëm në kirurgjinë vaskulare por të është mungesa e anesteziologëve, një temë e diskutuar shumë herë dhe fatmirësisht me përfundimin e tyre në vitin e ardhshëm edhe ky problem do të zgjidhet”, ka thënë ministri i Shëndetësisë.


MË SHUME NGA Shëndetësi