Në Kardiologji kryhet një operacion i rrallë
K. K. / RTKlive
Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK) ka njoftuar se në Klinikën e Kardiologjisë të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK) për herë të parë është bërë mbyllja perkutane e defektit interatrial në zemër, në mbikëqyrjen e profesor Eustaquio Maria Onorato, me asistim nga stafi i Klinikës së Anesteziologjisë.
“Kjo procedurë mjekësore përdoret për të mbyllur një defekt në murin që ndan dy atriumet e zemrës (defekt interatrial)”, thuhet në njoftim.
Më tutje, ShSKUK ka bërë me dije se në vend që të kryhet një operacion i hapur në zemër, kjo procedurë realizohet përmes kateterëve të futur nëpër enët e gjakut, zakonisht nga këmbët, të drejtuar deri te zemra.
Sipas njoftimit, kjo procedurë është minimale invazive, ka një periudhë më të shkurtër rikuperimi krahasuar me operacionin e hapur.
“Për të kryer një procedurë të tillë mjekësore pacientët deri tani janë referuar për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësor”, njofton ShSKUK.