Olimpiada e Parisit mbyllet me ceremoni spektakulare
B. H. / RTKlive
(Plotësuar, 00:05) Të dielën në mbrëmje, Parisi u ndriçua nga një ceremoni mbresëlënëse në ‘Stade de France’, ku Lojërat Olimpike ‘Paris 2024’ arritën në fundin e tyre.
Kjo mbrëmje spektakulare përmbylli një edicion të jashtëzakonshëm të Olimpiadës, pas 16 ditësh garash emocionuese dhe përpjekjesh të pandërprera të sportistëve nga e gjithë bota për sukses.
Në këtë natë të veçantë, emra të njohur të muzikës dhe më shumë se njëqind artistë, akrobatë, kërcimtarë dhe artistë cirku u ngjitën në skenë, duke krijuar një shfaqje spektakolare që impresionoi 70 mijë spektatorët në stadium dhe miliona të tjerë përmes ekraneve televizive. Performancat e tyre sollën atmosferë magjike, duke reflektuar bukurinë dhe energjinë që olimpizmi feston më shumë sesa vetëm sportin.
Një moment i veçantë i ceremonisë ishte dorëzimi i flamurit olimpik nga qyteti i dashurisë - Parisi te qyteti i ëndrrave - Los Anxhelos, qyteti i ardhshëm mikpritës i Lojërave Olimpike në vitin 2028.
Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach, e përmbylli ceremoninë me një apel të fuqishëm për një “kulturë paqeje”, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së shpirtit olimpik edhe në një periudhë të mbushur me tensione globale. Ky mesazh ishte një thirrje për të përdorur Lojërat Olimpike si një forcë për të sjellë bashkim dhe respekt ndërkombëtar përmes sportit.
E në këtë natë përmbyllëse të Olimpiadës, pa dyshim krenaria për arritjet e sportistëve ishte e pranishme në çdo cep të globit. Kosova edhe këtë herë u lartësua me dy medalje olimpike nga xhudistet Distria Krasniqi (medalja e argjendtë) dhe Laura Fazliu (medalja e bronztë), duke bërë që të renditemi në pozitën e 73-të në renditjen e medaljeve, teksa flamurin e Kosovës në ceremoninë përmbyllëse e bartën notari Adell Shaboviq dhe atletja Gresa Bakraçi.
Sportistët amerikanë, që fituan gjithsej 126 medalje, dominuan këtë Olimpiadë, me 40 të arta, 44 të argjendta dhe 42 të bronzta. Kina dhe Japonia gjithashtu patën rezultate të shkëlqyera.
Ceremonia e mbylljes së Olimpiadës u transmetua drejtpërdrejt në RTK me komentim nga Arben Berisha dhe Skyfter Blakaj.Tashmë kur “Paris 2024” i takon historisë, sytë e botës kthehen drejt Los Anxhelosit, ku edicioni i 34-t i Lojërave Olimpike të vitit 2028 premton të ofrojë një tjetër kapitull të ndritshëm për sportistët nga e mbarë bota.























