Dita e Anestezisë, një hap i rëndësishëm në historinë e mjekësisë
BKT
Shëndetësi

Dita e Anestezisë, një hap i rëndësishëm në historinë e mjekësisë

Sh. Gashi|rtklive

Me 16 tetor 1846, në Spitalin e Përgjithshëm të Massachusetts në Boston, për herë të parë është demonstruar dhënia e anestezisë me etër.

Kjo renditet një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e mjekësisë. Deri atëherë intervenimi kirurgjik ishte “luftë” për kirurgun dhe “vuajtje“ për pacientin. Kjo “luftë” u fitua me zbulimin e anestetikëve.

Për të diskutuar rëndësinë e kësaj dite, në programin e mëngjesit në RTK ishte e ftuar anesteziologia Agreta Gecaj Gashi. Ajo theksoi se gjatë 25 viteve të fundit, siguria e pacientëve ka pësuar një përmirësim të konsiderueshëm.

“Tash as ne në QKUK nuk kemi raste të vdekshmërisë të shkaktuara nga anestezioni”, u shpreh anesteziologia.

Ajo sqaroi se vdekjet gjatë anestezionit nuk ndodhin për shkak të mbi dozimit.

“Në popull thuhet që vdekshmëria ndodh sepse i kanë dhënë dozë më të fortë, por jo kjo nuk ndodh, sepse barnat e kanë një dritare terapeutike që është shumë më e gjerë, plus që dozimi asnjëherë nuk bëhet në atë masë sa t’i bëhet dëm pacientit, edhe nëse i japim pak më shumë e presim pak ma gjatë që të zgjohet. Rrezik ka qenë në kohën kur nuk kanë ditur ta bëjnë menaxhimin e rrugëve të frymëmarrjeve“, tha Gecaj Gashi.

Dita e anestezisë është një kujtesë për rëndësinë e zbulimeve mjekësore dhe avancimeve në teknologji që kanë transformuar kujdesin shëndetësor dhe kanë shpëtuar jetët e miliona pacientëve në të gjithë botën.

Për më shumë ndiqeni intervistën e plotë:


MË SHUME NGA Shëndetësi