Përshkrimi jo i duhur i recetave të ilaçeve, sfidë për farmacistët
BKT
Shëndetësi

Përshkrimi jo i duhur i recetave të ilaçeve, sfidë për farmacistët

K. K. / RTKlive

Leximi i recetave dhe përshkrimi jo i duhur i tyre, po konsiderohet sfidë për farmacistët dhe i rrezikshëm për pacientët. Laureta Berisha-Kosumi, farmaciste, tha se qysh në fillim duhet të bëhet shkrimi i mirë i recetës nga mjeku sepse, sipas saj, nuk është korrekte që për çdo recetë që nuk është e shkruar drejt, ta rikthejmë pacientin, i cili, ndoshta, e ka familjarin të shtrirë në sallë të operimit dhe ta rikthejmë e t’i themi shko ta përshkruajë doktor mirë.

Ajo në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë”, në RTK, tha se ka raste që pacientët vijnë me përshkrim të barnave në dorë. Po ashtu, ajo tha se “shpeshherë vijnë pacientët me nguti, sepse familjarët i kanë të shtrirë në QKUK dhe kërkojnë ilaçe, mirëpo kur vijnë inspektorët farmaceutikë tek ne i kërkojnë recetat e plotësuar”.

Ajo tha se problemi i egos duhet lënë mënjanë kur është në pyetje pacienti, sepse “si mjekët si farmacistët duhet ta ruajnë shëndetin dhe sigurinë e pacientëve”. 

Po ashtu, ajo tregoi që ndodh që edhe dy-tri herë brenda ditës i kthejnë pacientët për shkak të mospërshkrimit të duhur të barnave vetëm që të arrihet siguria dhe efikasiteti.

“Pacientët normalisht që janë shumë të shqetësuar kur vijnë në barnatore. U themi që bari nuk t’u ka përshkruar. Megjithatë, nuk është etike të kthehet pacienti, sepse vjen me halle”, tha ajo. 

Berisha-Kosumi, ndër të tjera, shtoi se “kritikohem edhe nga mjekët, por qëllimi im nuk është ta ul figurën e mjekut, por ta ruajmë shëndetin e pacientëve”.


MË SHUME NGA Shëndetësi