Bashkëpunim mes Kosovës dhe Izraelit në fushën e shëndetësisë
Sh.G / RTKlive
Në programin e mëngjesit në RTK, të ftuar ishin Tamar Liv, ambasadore e Izraelit në Kosovë dhe Odeda Benin Goren, mjeke për emergjencë, të cilat diskutuan për bashkëpunimin mes dy vendeve në fushën e shëndetësisë, më saktësisht për kursin për kujdesin ndaj traumës.
Ambasadorja Tamar Liv tregoi se ky bashkëpunim filloi pasi Kosova dhe Izraeli krijuan marrëdhënie diplomatike.
“E dini se prej se Kosova dhe Izraeli kanë krijuar marrëdhënie diplomatike para disa vitesh> mua më kanë emëruar në vitin 2022. Unë kam takuar ministra të ndryshëm e natyrisht e kam takuar edhe ministrin e Shëndetësisë, i cili në atë kohë më pati treguar sistemin dhe më tha se është e nevojshme që të përqendrohemi në mjekësinë emergjente dhe kujdesin e traumës. Që nga ajo kohë, në fakt, më shumë se dy vite ne kemi punuar në këtë temë. Rezultati është ky kurs që po e organizojmë këtë javë në Kosovë. Para dy viteve e kemi sjellë edhe doktoreshën Odeda Benin Goren në Kosovë për të bërë një lloj hulumtimi për të kuptuar realitetin këtu në Kosovë, ku ajo kishte hartuar një plan veprimi, pjesë e të cilit ishte edhe ky kurs për kujdesin ndaj traumës”, tha Liv.
Nga ana tjetër, doktoresha Odeda Benin Goren ndau përvojën e saj në hartimin e planit të veprimit:
“Vlerësimin e traumës në Kosovë e kemi bërë duke u takuar me mjekët, infermierët dhe administratorët e spitaleve të ndryshme, duke mësuar për gjendjen dhe sistemin, pra duke mësuar se çka duhet t’i shtohet atij sistemi. Pastaj jam takuar edhe me ministra e zyrtarë dhe ua kam propozuar këtë kurs për trajnimin e mjekëve”, tha Odeda Benin Goren.























