IKShPK: Shtohen rastet e gripit, vaksinohuni!
BKT
Shëndetësi

IKShPK: Shtohen rastet e gripit, vaksinohuni!

K. K. / RTKlive

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës ka njoftuar se që nga fillimi i sezonës së gripit, fillimi i muajit tetor e deri më tani, përmes Laboratorit të Mikrobilogjisë në IKShPK janë konfirmuar 52 raste të gripit, disa prej të cilave, për shkak të ashpërsisë, janë shtrirë për mjekim në spital. Sipas IKShPK-së, vaksinimi mbetet mënyra më efikase për parandalimin e përhapjes së virusit të gripit.

Bazuar në të dhënat nga mbikëqyrja javore e gripit sezonal, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës tërheq vëmendjen për rritje të numrit të rasteve të raportuara të gripit, krahasuar me javët paraprake. Megjithatë, numri i rasteve është i nivelit të krahasueshëm me sezonën paraprake.

 “Me qëllim të parandalimit të rasteve të reja dhe komplikimeve të rënda shëndetësore që mund të vijnë nga gripi, IKShPK u bënë thirrje qytetarëve të vaksinohen kundër gripit në njësitë e vaksinimit (QKMF/QMF) në komunën ku jetojnë. Efekti i vaksinës fillon 1 deri 2 javë pas marrjes dhe mbrojtja vazhdon rreth një vit pas vaksinimit”, thuhet në njoftim.

IKShPK rikujton se Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me IKShPK, në fillim të sezonës së gripit 2024/2025 ka siguruar 85 000 doza të vaksinës sezonale.

IKShPK ka njoftuar, gjithashtu, se nga 30 shtatori deri më 30 nëntor janë administruar 61 467 doza për grupet e rrezikuara; grupmoshat mbi 65 vjeç; personat me sëmundje kronike; profesionistët shëndetësorë; gratë shtatëzëna dhe fëmijët 0-5 vjeç.

Vaksina rekomandohet edhe për grupe të tjera të popullatës, pa dallim moshe.

Gjithashtu, qytetarëve u bëhet thirrje që t’i zbatojnë edhe masat e tjera parandaluese kundër virusit të gripit sezonal dhe kontroll të infeksioneve të rrugëve të frymëmarrjes.


MË SHUME NGA Shëndetësi