Skeja: Psikoterapia nuk është luks
K. K. /RTKlive
Drejtori i Qendrës për Informim dhe Përmirësim Social, psikologu, Bind Skeja ka thënë se seancat psikoterapeutike nuk janë luks. Sipas tij, ato janë bazë qenësore që sigurojnë jetesën e individit në kualitet më të mirë dhe sigurojnë që dikush të mos përfundojë në vetëvrasje.
Skeja në “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK, ka thënë se “fakti që lejohet ky abuzim i tregut, ka ndikuar direkt te qytetarët”.
Më tutje ai ka theksuar se disa psikologë kanë rritur koston për shërbimet që i ofrojnë edhe për shkak të numrit të personave që po kërkojnë psikoterapi.
“Tregu është duke u ngulfatur prej kërkesave të mëdha që po bëhen, e do po munden t’i rritin çmimet për shërbimet që ofrojnë”, ka thënë ai.
Skeja, po ashtu, bëri me dije se nuk ka shumë shërbime që ofrohen në institucionet publike.
“Tani përnjëmend ia kanë nisur t’i rritin çmimet në krahasim me si kanë qenë. Edhe është njëfarë forme e abuzimit të sistemit që shërbimet publike nuk i kemi në nivel për t’i akomoduar këta individë që kanë nevojë për mbështetje dhe ata që i trajnojnë, po e shfrytëzojnë vakumin që po krijohet në mënyrë që të përfitojnë prej shpinës së qytetarit”, ka deklaruar ai.























