Dita Botërore kundër Duhanit, bëhet thirrje për mospërdorim të tij|VIDEO
BKT
Shëndetësi

Dita Botërore kundër Duhanit, bëhet thirrje për mospërdorim të tij|VIDEO

Valjete Shala/ RTK

Sot është shënuar dita botërore kundër duhanit. Në prag të kësaj dite, Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, ka mbajtur konferencë për media ku edhe njëherë u bë thirrje për mospërdorim të duhanit e sidomos nga të rinjtë.

Duhani mbetet një nga kërcënimet më të mëdha të shëndetin publik, derisa një përqindje e konsiderueshme e popullsisë në Kosovë vazhdon të jetë e ekspozuar ndaj tij, përfshirë edhe të rinjtë. Kurse industria e duhanit vazhdon të përdorë gjithnjë e më shumë taktika të sofistikuara për të shënjestëruar të rinjtë dhe për të joshur përdorimin e tij, duke sjellë pasoja të rënda për shëndetin.

Ndonëse në Kosovë është shënuar rënie e numrit të përdoruesve të duhanit, megjithatë në luftën kundër tij, institucionet e Kosovës thonë se kanë ndërmarrë masa kundër pirjes së duhanit. Kështu u tha në konferencën e organizuar në prag të Ditës Botërore kundër duhanit.

“Përkundër sfidave, nuk kanë munguar as rezultatet, sikurse rritja e akcizës, inspektimet dhe presim rritje të numrit të inspektorëve për shtim të inspektimeve në hapësira ku është e ndaluar duhanpirja”, tha Arben Vitia, ministër në detyrë i Shëndetësisë.

“Që nga hyrja në fuqi e ligjit kundër duhanit, hulumtimet tona që janë zhvilluar kanë nxjerrë në pah një ulje të përdorimit, porse në luftën kundër duhanit ne presim çdo herë përmirësim të uljes së nivelit të duhanpirjes në vend”, tha Faik Hoti nga IKSHPK.

“Qendra për Avokim dhe Zhvillim (KADC), me mbështetjen e partnerëve vendorë dhe ndërkombëtarë, ka iniciuar fushatën gjithëpërfshirëse:’T'i heqim Maskën Ndikimit - Të rinjtë për një të ardhme pa duhan’. Përmes kësaj fushatës, të rinjtë po ndihmojnë në ndërtimin e një presioni pozitiv publik për ndryshim të politikave”, tha Arben Lila, KADC.

Megjithëse ligji për kontrollin e duhanit është miratuar që nga viti 2013, zbatimi i tij vazhdon të hasë në sfida, sidomos në ambientet ku ndalohet duhanpirja.


MË SHUME NGA Shëndetësi