Konfiskohen produkte medicinale të paautorizuara në Mitrovicën Veriore
V.Th / RTKLive
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se, në kuadër të aksioneve të vazhdueshme për mbrojtjen e shëndetit publik, Inspektorati Farmaceutik ka realizuar një aktivitet inspektues në barnatoret private të Komunës së Mitrovicës Veriore.
Gjatë inspektimit, inspektorët kanë hasur në një sasi të madhe të produkteve medicinale të paautorizuara për tregun e Kosovës. Disa nga këto produkte ishin të pajisura me banderolë të Serbisë apo Maqedonisë së Veriut, ndërsa të tjerat nuk kishin fare banderolë.
Në njërën prej barnatoreve të inspektuara, janë gjetur edhe produkte medicinale me banderolë të kuqe – të cilat janë të destinuara për përdorim ekskluziv në sektorin publik të shëndetësisë, si pjesë e donacioneve ose furnizimeve falas për qytetarët. Këto produkte janë keqpërdorur duke u zhvendosur në sektorin privat për t’u shitur, në kundërshtim me ligjin.
Të gjitha produktet e paautorizuara janë konfiskuar nga Inspektorati Farmaceutik, dhe pritet që në ditët në vijim të ndiqen procedurat e rregullta ligjore lidhur me rastin.
Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje qytetarëve që të raportojnë çdo parregullsi të ngjashme tek inspektoratet kompetente, në mënyrë që të sigurohet një treg farmaceutik i sigurt dhe i kontrolluar për të gjithë.























