OBSH: Shëndeti mendor, alarm për të rinjtë
Sh.G|RTKlive
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka publikuar raportin e saj të fundit, ku thekson se 17% e popullsisë në Evropë vuan nga probleme të shëndetit mendor. Kjo shifër po rritet nga viti në vit dhe përbën shqetësim serioz, veçanërisht për të rinjtë.
Në lidhje me këtë çështje, në RTK ishte e ftuar psikologia klinike Fatlinda Nitaj Rexhaj, e cila tha:
“Kjo është një shifër goxha e lartë nëse e shohim nga perspektiva e vendit tonë me një popullsi jo shumë të madhe. Është shifër e lartë edhe në statistika evropiane, tregon se kjo shifër është në rritje krahasuar me vitet e kaluara. Raporti i OBSH-së këtë vit ngreh alarm dhe njëkohësisht është një lloj udhëzuesi për të gjitha shtetet që të kenë parasysh të hartojnë dhe të promovojnë politikat në nivel vendi për me mujt me i adresu sa më mirë", tha ajo.
Duke folur për rëndësinë e trajtimit të hershëm dhe politikave të duhura, Rexhaj tha se në nivel botëror politikat për shëndetin mendor kanë një kosto shumë të madhe dhe shumica e personave që janë të prekur drejtpërdrejt me problemet e shëndetit mendor nuk marrin trajtimin e duhur.
"Për këtë arsye, fokusi është kryesisht në aspektin e mirëqenies, duke pasur parasysh pjesën e të rriturve, por me theks të veçantë adoleshentët dhe fëmijët", tha ajo.
Ajo shtoi se Kosova nuk bën përjashtim nga ky realitet dhe statistikat e viteve të fundit, sidomos pas pandemisë, janë shqetësuese:
“Shifra është e lartë. Kosova nuk është e përjashtuar nga kjo, aty gjendemi edhe ne. Gjithmonë i referohemi statistikave të pandemisë. Kemi pasur një rritje deri në 25% të rasteve me ankth, stres, depresion dhe çrregullime të tjera mendore. Për atë arsye, kjo është një alarm për vendin tonë por edhe për rajonin, që të adresohen sa më shpejt. Të kenë parasysh politikat publike kur të hartohen, të kenë një buxhet të caktuar në mënyrë që të adresohen problematikat e shëndetit mendor", tha ajo.























