U inaugurua Shkolla Verore për promovimin e shëndetit
BKT
Shëndetësi

U inaugurua Shkolla Verore për promovimin e shëndetit

V.Th / RTKLive

Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 100-vjetorit të themelimit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, si dhe si pjesë e bashkëpunimit të vazhdueshëm me Konzorciumin Evropian të Trajnimeve në Shëndet Publik dhe Promovim të Shëndetit (ETC‑PHHP), më 21 korrik 2025 u hap zyrtarisht Shkolla Verore e 34-të e ETC‑PHHP me temën “Komunikimi për Promovimin e Shëndetit”, njofton IKSHPK.

Në ceremoninë e hapjes, Drejtoresha Ekzekutive e IKSHPK-së, Dr. Ardita Baraku, theksoi rëndësinë e këtij programi njëjavor si platformë për përvetësimin e njohurive bashkëkohore dhe për nxitjen e diskutimeve të thelluara mbi qasjet teorike dhe praktike të komunikimit në fushën e promovimit të shëndetit publik.

Sipas njoftimit në këtë edicion të shkollës verore, rrjeti i ligjëruesve të ETC‑PHHP përfshin profesorë dhe profesionistë të shëndetit publik nga vende të ndryshme evropiane, si dhe Prof. Merita Berisha, Drejtoreshë e Departamentit të Mjekësisë Sociale në IKSHPK dhe profesoreshë në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës.

Tutje në njoftim thuhet se pjesëmarrësit e kësaj shkolle – ekspertë nga IKSHPK, Qendrat Rajonale të Shëndetësisë Publike (QRSHP), Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare, si dhe nga institucione të tjera vendore dhe ndërkombëtare – do të ndajnë përvoja dhe do të diskutojnë mbi mjetet dhe praktikat më të mira të komunikimit në promovimin e shëndetit. Përmes këtyre aktiviteteve synohet fuqizimi i qasjeve bashkëpunuese dhe ndërtimi i komuniteteve më të shëndetshme dhe të qëndrueshme.

Ky aktivitet mbështetet nga asistenca teknike e projektit AQH (Accessible Quality Healthcare) dhe AKPESH (Agjencia Kosovare për Promovimin e Shëndetit).


MË SHUME NGA Shëndetësi