Vitia: Gjidhënia, themel për një fëmijëri të shëndetshme
BKT
Shëndetësi

Vitia: Gjidhënia, themel për një fëmijëri të shëndetshme

Zenel Hajrizi |RTK

Në kuadër të Javës Botërore të Ushqyerjes me qumësht gjiri, ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe përfaqësues të UNICEF-it kanë vizituar Spitalin e Përgjithshëm në Gjilan.

Me përkushtim ndaj jetës që fillon nga krahët e nënës, ministri në detyrë i Shëndetësisë, së bashku me profesionistë shëndetësorë dhe me nëna të reja, shënuan javën ndërkombëtare të ushqimit me gji në Spitalin Regjional të Gjilanit. Është detyrë të përkujdesemi për të porsalindurit dhe për fëmijët në përgjithësi, theksoi ministri Vitia.

“Shprehëm bashkë me specialistët e gjinekologjisë dhe të neonatologjisë e me prindërit që i vizituam që sa e rëndësishme është gjidhënia dhe sa mirë ndikon në shëndetin e foshnjës. Në mënyrë që të intervenojmë sa më herët në fëmijërinë e hershme që fëmijët të rriten të shëndetshëm”, tha Arben Vitia, ministër i Shëndetësisë .

Drejtori i Spitalit të Gjilanit, Afrim Canaj, tha se ky institucion është një shembull i përkushtimit për kujdesin për nënat dhe foshnjat.

“Vizita e Ministrit dhe përzgjedhja e Gjilanit ka koincidu në javën për ndërgjegjësim që edhe siç e njoftova ministrin dhe të tjerët spitali i Gjilanit edhe më herët është cilësuar si mik i foshnjave pra një shërbim një spital i cili në vazhdimësi ka avoku në ndërgjegjësim për ushqimin me gji”, tha Canaj.

Në këtë aktivitet, i cili ka për qëllim ndërgjegjësimin për rëndësinë e gjidhënies, morën pjesë edhe përfaqësues të UNICEF-it dhe aktivistë të tjerë. Ata theksuan se përkushtimi ndaj ushqyerjes me gji është një investim në shëndetin e fëmijëve dhe në ndërtimin e një shoqërie të shëndoshë.


MË SHUME NGA Shëndetësi