Studentë nga bota drejt Europës? Gara për talentet globale
DW
Shumë të rinj në mbarë botën e ëndërrojnë një mundësi studimi në SHBA. Por peizazhi politik po ndryshon dhe pasiguria po rritet. A mund të dalin vende të tjera që t`i tërheqin ata? Cilat po bëhen destinacionet e reja?
Prej vitesh gjithnjë e më shumë studentë të huaj po i ndjekin universitetet në Gjermani. Cilësia e arsimit është e lartë dhe tarifa e shkollimit është thuajse falas.
Po të bësh krahasimin arsimi i lartë në SHBA është një biznes shumë më i madh – dhe shumë më i shtrenjtë, thotë Karin Fischer nga Universiteti Berkeley i Kalifornisë: "Diploma e një universiteti amerikan është një nga eksportet më të mëdha, që kanë Shtetet e Bashkuara, gjë që është interesante ta mendosh në këtë kontekst, kur zhvillohen gjithë këto debate rreth importeve, eksporteve dhe tarifave."
Sipas Wido Geis-Thöne nga Instituti i Ekonomisë Gjermane në Këln, "Gjermania mund të përfitojë qartazi nga emigracioni amerikan. Si rezultat kemi një numër më të lartë studentësh, që duan të studiojnë jashtë, që janë në gjendje të studiojnë në universitetet amerikane, por po kërkojnë alternativa të tjera”.
Nevojat në tregun gjerman për specialistë
Më e rëndësishme se numri i studentëve është se sa prej tyre qëndrojnë këtu dhe hyjnë në tregun gjerman të punës, i cili ka nevojë urgjente për punonjës të kualifikuar. Andreas Schleicher nga OECD, drejtor për edukimin dhe kualifikimin thekson, se "Evropa është qartësisht më e fortë në zhvillimin e talenteve... por Shtetet e Bashkuara janë shumë më të afta në shfrytëzimin e mirë të talentit. Kjo është sfidë për Evropën. Tregu i punës është ende shumë i izoluar dhe i ngurtë në krahasim me SHBA-në. Atje tregu i punës e ka më të lehtë të kuptojë, se ku është talenti dhe pastaj ta shfrytëzojë atë më mirë".























