Sot nis festivali më i madh i teknologjisë në Kosovë Doku.Tech
K. K. / RTKlive
Festivali më i madh i teknologjisë në vend, Doku.Tech 2025, nis sot në Tech Park Prishtina, ku gjatë dy ditëve, më 23 dhe 24 tetor, do të mbledhë ekspertë, inovatorë dhe entuziastë të teknologjisë nga Kosova dhe bota për të ndarë ide, përvoja dhe vizione mbi të ardhmen digjitale.
Menaxherja e festivalit, Adelina Qarri Hoxha, tha në një intervistë për Mirëmëngjesi Kosovë në RTK se Doku.Tech këtë vit sjell një sërë aktivitetesh për të rinjtë dhe profesionistët e fushës.
“Kemi një aktivitet të veçantë me partnerin tonë Women in Tech, ndërsa në Panairin e Shkencës do të marrin pjesë shumë organizata, kompani dhe shkolla digjitale. Më e bukura është që të rinjtë dhe fëmijët do të kenë mundësi të prezantojnë punën e tyre para moshatarëve dhe mysafirëve tanë”, theksoi Qarri Hoxha.
Ajo shtoi se pjesë e festivalit është edhe një ekspozitë ndërgjegjësuese për mbrojtjen e imazhit online, që ka për qëllim edukimin e të rinjve rreth sigurisë në internet dhe privatësisë digjitale.
Doku.Tech organizohet në kuadër të nismës qeveritare “October Tech Kosova”, me mbështetje nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
Programi i këtij viti përfshin:Keynote speakers si Edi Demaj dhe Christopher Petrillo, që do të flasin për trendet më të fundit në teknologji dhe ndikimin global të saj; Masterclass DIY, ku pjesëmarrësit do të angazhohen në aktivitete kreative dhe praktike; Panel diskutimi me ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë mbi sfidat dhe mundësitë që ofron teknologjia për Kosovën dhe rajonin; Si dhe një Cyber Exercise, simulim interaktiv që synon të rrisë ndërgjegjësimin dhe përgatitjen ndaj sulmeve kibernetike.
Festivali mbetet një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit për komunitetin e teknologjisë në Kosovë, duke ofruar hapësirë për mësim, rrjetëzim dhe frymëzim për gjeneratën e re të inovatorëve.























