Nga `Këngë Moj` tek `Baresha`, spektakël në Festivalin e Këngës në RTK
BKT
Akordet e Kosovës

Nga `Këngë Moj` tek `Baresha`, spektakël në Festivalin e Këngës në RTK

B. H. | RTKlive

(Plotësuar) Nata e parë e Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin e Kosovës u hap me performancën e këngës “Këngë Moj” të kompozitorit Musa Piperku, në interpretim të korit fantastik Siparantum dhe me dirigjimin e Memli Kelmendit. Ky moment hapi edicionin e tretë të festivalit, duke dhuruar një atmosferë të jashtëzakonshme në natën e parë të garës muzikore më të madhe të Kosovës.

Gjatë mbrëmjes, shikuesit ndoqën një seri performancesh që sollën ritëm, emocione dhe një larmi zhanresh. Njëzet konkurrentët, të përzgjedhur nga mbi 40 aplikime, përfshinë artistë të rinj dhe të afirmuar, duke garantuar një konkurrencë të fortë dhe spektakolare gjatë tri netëve të këtij festivali.

Performancat e natës filluan me Teutë Halili dhe këngën “Amin”, vazhduan me Almir Kraba me “Nuk ka si ti”, ndërsa skena u mbush më pas me baladat e Elmedinë Ramushi dhe Semi Tafaj, dhe më pas me interpretimet energjike të Arsi Bako, Laorjan Ejlli, Vjosa Shehu, Art Lokaj, Kiara Juba, Egzon Pireci, Klea Dina, Florent Abrashi, Bledi Kaso, Nita Latifi&Algert Sala, Arjeta Palushaj, Dea Berisha, Vlera Kastrati, Zerxhina Hasanaj, Santino De Bartolo dhe Xuxi.

Një moment të veçantë solli homazhi për Violeta Rexhepagiqin, ku moderatorja Rina Krasniqi dhe orkestra interpretuan një improvizim në kujtim të artistes, duke krijuar një atmosferë emocionuese dhe të paharrueshme.

Nata u përmbyll me një performancë të jashtëzakonshme nga 20 konkurentët e festivalit, të cilët interpretuan së bashku këngën “Baresha”, një kompozim i njohur i Rexho Mulliqit. Ky interpretim solli një përfundim madhështor të natës së parë, duke evidentuar trashëgiminë muzikore të Kosovës dhe energjinë e brezave të rinj të artistëve.

Nga “Këngë Moj” tek “Baresha”, por edhe me 20 këngët konkurruese, nata e parë e Festivalit të Këngës premtoi tre netë të mbushura me muzikë, emocion dhe konkurencë të fortë.

Nata e dytë e edicionin të tretë të festivalit mbahet të premten, në orën 21:00, ku po ashtu priten befasi të shumta. 

Nata e parë e Festivalit të Këngës me performanca të jashtëzakonshme

Nata e parë e Festivalit të Këngës në RTK u mbyll me një seri performancash që treguan larmi zhanresh, energji dhe emocione të thella.

Kënga e pesëmbëdhjetë, “S’do të doja dy jetë”, u interpretua nga Bledi Kaso, me tekst të Pandi Laços dhe muzikë të Endrit Shanit, ndërsa orkestrën e dirigjoi Lindita Isufi. Performanca e Bledit solli një interpretim të fuqishëm dhe të ndjerë, duke tërhequr vëmendjen e publikut që nga fillimi i natës.

Garës i shtuan energjinë dy artistë të tjerë me këngën “Pija”, një duet reggae nga Nita Latifi dhe Algert Sala, të cilët sollën ritëm dhe harmoni në skenën e Pallatit të Rinisë. Në vijim, Arjeta Palushaj performoi këngën “Andrra”, duke sjellë emocion dhe një interpretim të fuqishëm, ndërsa Santino De Bartolo solli tonet arbëreshe të këngës “Naze Naze”, që trajton një marrëdhënie të ndërlikuar dashurie.

Një moment të veçantë solli Vlera Kastrati me këngën “Nanë”, një dedikim emocionues, duke prekur zemrat e publikut me interpretimin e saj të sinqertë dhe të ndjerë.

Për ta mbyllur natën e parë, skenën e pushtoi Xuxi me këngën “Identitet”, duke ofruar një performancë që përmbledh gjithë energjinë dhe emocionet e natës së parë të festivalit.

Performancë dedikuar Violeta Rexhepagiqit nga moderatorja e festivalit Rina Krasniqi

Nata e parë e Festivalit të Këngës solli edhe një moment të veçantë për të nderuar kujtimin e artistes së njohur Violeta Rexhepagiqi. Në skenën e madhe të festivalit, Rina Krasniqi dhe orkestra interpretuan një improvizim muzikor, duke krijuar një atmosferë emocionuese dhe të veçantë për publikun në sallë dhe shikuesit përpara ekranit.

“Wow, ok, po e shoh tash që nuk është punë e lehtë me dalë me këndu në këtë skenë! Kjo performancë ishte për ta nderuar kujtimin e Violeta Rexhepagiqit dhe shpresoj se ky kujtim do të jetojë shumë gjatë!”, tha Rina pas interpretimit.

Para këtij momenti të veçantë, në skenë u ngjitën katër garuesit e radhës.

Këngën e njëmbëdhjetë konkuruese e prezantoi Klea Dina nga Peja, për të cilën nuk është hera e parë që merr pjesë në festival. Me tekst dhe muzikë nga Ana dhe dirigjim orkestre nga Memli Kelmendi, kënga “At” ishte një reflektim i brendshëm mbi boshllëkun që mbetet pas dashurisë. Interpretimi i Klea Dinës solli ndjenja të thella dhe një atmosferë intime në skenë.

Më pas, skena u mbush me energji nga Florent Abrashi, me një rock-baladë të fuqishme të titulluar “Unë dhe ti”. Teksti dhe muzika janë nga vetë Florent Abrashi, ndërsa orkestrën e dirigjoi Alfred Kaçinari. Me prejardhje nga Gjakova dhe eksperiencë si multi-instrumentist dhe vokalist profesional, performanca e tij solli një emocion të fortë.

Kënga e trembëdhjetë konkuruese ishte “Afër”, e kënduar nga Dea Berisha, një këngëtare e lindur në Amsterdam. Me tekst nga Lis Boshtrakaj dhe Besart Zhuja dhe muzikë nga Lis Boshtrakaj, dirigjimi i orkestrës nga Memli Kelmendi krijoi një atmosferë indie dhe alternative, duke i dhënë një nuancë të freskët dhe moderne natës së parë të festivalit.

Konkurruesja e katërmbëdhjetë ishte  Zerxhina Hasanaj me këngën “Pres”, një baladë që trajton dashurinë, humbjen, shpresën dhe pritjen. Teksti dhe muzika janë nga Jetmir Mehmedaj, ndërsa dirigjimi i orkestrës ishte nga Memli Kelmendi. Performanca e saj solli një ndjesi reflektimi dhe një përjetim të thellë emocional.

Eneida Tarifa ndez skenën me kolazhin e hiteve amerikane

Këngë me larmi zhanresh dhe emocione të veçanta po vazhdon të sjellë nata e parë e Festivalit të Këngës në RTK. E me një performancë të jashtëzakonshme jashtë konkurrimit u paraqitën Aurela Murtezaj, Elona Sadiku, Andrra Rexhepi dhe anëtarja e jurisë Eneda Tarifa, duke sjellë një kolazh të muzikës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës të zhanrit Doo Wop nga vitet e ‘60-ta, si dhuratë nga miku i madh i Kosovës, Benito Mares.

Arsi Bako, Laorjan Ejlli dhe Vjosa Shehu sjellin emocione te publiku

Kënga e tetë konkurruese ishte “Rreze zjarr”, një rock super-energjik nga Arsi Bako, që erdhi nga Tirana në Prishtinë për ta madhështuar festivalin. Me tekst dhe muzikë të Gjergj Kaçinarit dhe orkestrim nën drejtimin e Alfred Kaçinarit, performanca e Arsi Bakos solli një energji të jashtëzakonshme në skenë.

Më pas, skena u mbush me një interpretim të ndjerë nga Laorjan Ejlli me këngën “Një natë shkruajta për ty”. Një jazz-baladë me tekst nga Evis Mula dhe muzikë nga Osman Mula, të dirigjuar nga Lindita Isufi, performanca e Laorjanit solli një frymë intime e melodike, duke treguar edhe një herë diversitetin e stilit muzikor që po ofron ky edicion i festivalit.

Tri performancat e radhës u përmbyllën nga Vjosa Shehu me këngën “Alo”, një interpretim i fuqishëm dhe me mesazh për fuqizimin e gruas. Teksti dhe muzika nga Valon Gashi, dhe orkestrimi nën drejtimin e Lindita Isufit, sollën emocion dhe përqendrim në mesazhin e këngës. Vjosa, e rritur në Belgjikë dhe aktualisht e pranishme në Kosovë, solli një performancë të përkushtuar dhe me koreografi, duke i dhënë ngjyra shtesë kësaj mbrëmje.

Vazhdojnë performancat me Art Lokaj, Kiara Juba e Egzon Pireci, zbulohet juria e Festivalit të Këngës

E pas trashigimisë së pasur të Akordeve të Kosovës, e cila u rikthye përmes një videoklipi, në skenë u ngjitën tre konkurruesit e tjerë të Festivalit të Këngës, që po ashtu sollën ritëm, zhanre të ndryshme dhe emocione të veçanta, si dhe u zbulua juria e festivalit.

Garën e vazhdoi Art Lokaj me këngën “Ty”, e cila u dirigjua nga Alfred Kaçinari dhe solli një interpretim të fuqishëm dhe të ndjerë në skenë. Kjo këngë, me tekst dhe muzikë të autorit të saj, Art Lokaj, solli një frymë të re dhe një energji të gjallë.

Pas kësaj, Kiara Juba prezantoi këngën “Nirvana”, një baladë e bukur me orkestrim të kujdesshëm dhe dirigjim nga Alfred Kaçinari. Teksti i Eriona Rushitit dhe muzika e Enis Mullajt sollën një melodi të këndshme dhe të harmonizuar, ndërsa performanca e Kiara Jubës la përshtypje te publiku.

“Kënga jonë” nga Egzon Pireci, një pop-baladë tipike me intro piano reflektoi stilin unik të kompozitorit Ilir Berani. Dirigjimi i orkestrës nga Memli Kelmendi dhe interpretimi i ngrohtë i Egzon Pirecit sollën atmosferë të shkëlqyeshme e melodike, duke e përforcuar diversitetin e zhanreve në këtë edicion.

E padyshim punën shumë të vështirë në këto tri net të festivalit do ta ketë juria. E pjesë e saj janë: Dren Abazi, një nga kantautorët më të suksesshem të skenës sonë, Eneda Tarifa, këngëtare me një karrierë të pasur dhe moderatore e njohur televizive, Jeta Dida Bujari, drejtoreshë e shkollës së mesme të muzikës 'Prenk Jakova' në Prishtinë, me një përvojë mbi 20 vjecare në fushën e edukimit muzikor, Rreze Kryeziu, muzikologe, profesoreshë universitare, drejtoreshë e përgjithshme e festivalit muzikor DAM dhe kryetare e Këshillit Inicues të Operas së Kosovës dhe kryetari i jurisë Xhevdet Gashi, një nga kompozitorët dhe producentët më të mirë të skenës sonë ndër dekada.

Festivali i Këngës rikthen emocionet e Akordeve të Kosovës

Nata e parë e Festivalit të Këngës në RTK nuk është vetëm një garë midis këngëtarëve, por edhe një udhëtim në historinë e muzikës shqiptare në Kosovë.

Gjatë kësaj nate në skenë përmes ekranit gjigant erdhi edhe një përmbledhje e veçantë nga disa edicione të Akordeve të Kosovës, festivali i njohur dhe prestigjioz që nga vitet ’60 deri në fund të viteve ’80.

“Kosova ka një histori të konsiderueshme të muzikës bashkëkohore, por edhe të spektakleve muzikore. Kur kthejmë kokën pas, shohim emra dhe organizime të ndryshme që na kanë bërë këtë që jemi sot. Personalitete si Nexhmije Pagarusha e Muharrem Qena, grupe si Gjurmët dhe Minatori, spektakle televizive të vitit të ri të prodhuara nga Radio Televizioni i Prishtinës dhe shumë festivale muzikore, të gjitha kanë ndikuar në zhvillimin e muzikës sonë”, tha prezantuesja Rina Krasniqi.

Një rëndësi të veçantë në këtë histori e kanë pasur vetë Akordet e Kosovës, një festival garues i organizuar në tri netë sipas zhanreve: muzikë popullore, muzikë zbavitëse dhe muzikë për fëmijë. E pikërisht trofeu kryesor i këtij festivali, Okarina e Artë, këtë vit rikthehet si çmim për arritje jetësore, duke nderuar kontributin e artistëve të shquar.

Gjatë klipit të përmbledhur nga Akordet e Kosovës, u përfshinë artistë, interpretime e intervista të ikonave të muzikës shqiptare, si Jusuf Gervalla, Nexhmije Pagarusha, dhe shumë të tjerë, duke risjellë emocionet e një kohe të paharrueshme.

“Falënderojmë Minire Fetahun, redaktoren shumëvjeçare të muzikës, dhe kompozitoren e mirënjohur Selvete Krasniqi Ismaili, që na ndihmuan ta përpilojmë këtë klip”, theksoi Dukagjin Podrimaj.

Elmedinë Ramushi e Semi Tafaj emocionojnë publikun me interpretimin e tyre

Nata e parë e Festivalit të Këngës vazhdoi me performancën e garuesve dhe me një larmi të veçantë zhanresh dhe emocione të ndryshme.

Elmedinë Ramushi me këngën “A po m’sheh” ishte kënga e tretë në konkurim, një performancë që solli një atmosferë të ngrohtë dhe melodike në skenë.

Edhe kënga e katërt solli emocion, një pop-baladë e performuar nga Semi Tafaj. Kënga me titull “Vazhdoj” ishte me tekst nga Algert Sala dhe muzikë nga Kejdi Musta, ndërsa orkestrën e dirigjoi Memli Kelmendi.

Ndërkaq, në skenë u ngjit edhe fituesi i edicionit të kaluar Endrit Krasniqi, i cili edhe një herë solli këngën e tij triumfuese
“Flas me gjethen”.

Teutë Halili e Almir Kraba i japin energji skenës së festivalit

Pas hapjes madhështore me “Këngë Moj” të Musa Piperkut, nata e parë e Festivalit të Këngës vazhdoi me konkurruesen e parë, Teutë Halili me këngën “Amin”, një performancë që transmeton mesazhin e fuqizimit të gruas dhe vetëdijes për vetëdashuri dhe guxim.

Orkestrën e dirigjoi Alfred Kaçinari, derisa kënga është e kompozuar dhe ka tekst nga Diell Gashi. Interpretimi i Teutës mbushi skenën me energji dhe emocione, duke tërhequr duartrokitje të gjata nga publiku.

Më pas në skenë u shfaq konkurruesi i dytë, Almir Kraba me këngën “Nuk ka si ti”, me ritëm të fortë dhe influencë hip-hop, ku orkestrën e dirigjoi Lindita Isufi.

“Këngë Moj” e Musa Piperkut hap edicionin e tretë të Festivalit të Këngës

Në Pallatin e Rinisë ka nisur edicioni i tretë i Festivalit të Këngës së Radiotelevizionin e Kosovës, një ngjarje që sjell tri net të mbushura me muzikë, emocion, garë dhe artistë të njohur shqiptarë.

Edicioni i tretë u hap në mënyrën më madhështore me këngën “Këngë Moj” nga kompozitori Musa Piperku, në interpretimin e korit fantastik Siparantum, nën drejtimin e dirigjentit Memli Kelmendi. Ky fillim dha tonin e parë të një nate të veçantë, duke përforcuar pritjen e madhe për tri netët e festivalit.

Edicioni i sivjetmë po moderohet nga Dukagjin Podrimaj dhe Rina Krasniqi.


MË SHUME NGA Akordet e Kosovës