Gërvalla: Festivali, pasaporta jonë për buxhet më të madh
BKT
Akordet e Kosovës

Gërvalla: Festivali, pasaporta jonë për buxhet më të madh

RTKLive

Drejtori i Televizionit në RTK, njëherësh drejtor i edicionit të tretë të Festivalit të Këngës në RTK, Rilind Gërvalla, tha se ky festival nuk ishte vetëm një sukses artistik, por ishte pasaporta jonë për buxhet më të madh, për kushte më të mira pune, për investime serioze, për programacion më cilësor dhe për zhvillim të vazhdueshëm të teknologjisë dhe prodhimit.

“Ky sukses është rezultat i punës së përbashkët, i harmonisë sonë si ekip, i gatishmërisë për të bashkëpunuar dhe për t’u tejkaluar çdo sfidë me profesionalizëm dhe buzëqeshje”, ka deklaruar Gërvalla.

Ai ka falënderuar të gjithë nga të katër kanalet tona televizive, nga Radio Kosova dhe nga Mediat Online për mbulimin strategjik dhe përkushtimin e jashtëzakonshëm që i dhanë kulminacion punës sonë të përbashkët.

“Nga skenografia e brendimi, deri te produksioni e informacioni ku secili prej jush ka lënë gjurmë të ndritshme në këtë arritje. Ne kemi dëshmuar se jemi ekip që di të bashkohet për projekte të mëdha, që di të shndërrojë sfidat në mundësi, që e përhap pozitivitetin dhe profesionalizmin në çdo hap. Edhe përballë vështirësive financiare, ju qëndruat të fortë, dinjitozë dhe plot shpirt ekipi. Ju ftoj me përzemërsi ta vazhdojmë këtë frymë, ta përkrahim RTK-në në çdo projekt të nisur, sepse secila arritje e jona është hap drejt një të ardhmeje më të mirë për të gjithë”, tha ai.

“Me përulje, respekt dhe mirënjohje të thellë, ju falënderoj nga zemra për shpirtin e punës që keni treguar. Bashkë jemi më të fortë, bashkë jemi RTK”, tha Gërvalla.

 


MË SHUME NGA Akordet e Kosovës