Jehona e një epoke rikthehet në “Akordet e Kosovës”
Ardita Tafallari /RTK
Ka performanca që nuk mbeten vetëm në skenë, por zgjojnë kujtime, rikthejnë një epokë dhe bëjnë bashkë breza të tërë. E tillë ishte paraqitja e Sejat Jakupit, solistit dhe kompozitorit të grupit legjendar “Telex” nga Shkupi, në natën e dytë të Festivalit “Akordet e Kosovës”.
Me këngët “Ndoshta një ditë”, “Vetëm për ty”, “Më merr, më ndihmo” dhe “Ta gjen mami një sheik”, Jakupi solli në skenën e festivalit jehonën e një periudhe të rëndësishme të muzikës rok shqiptare. Publiku jo vetëm i mirëpriti këngët, por iu bashkua interpretimit, duke i kënduar ato në kor dhe duke e shndërruar paraqitjen në një moment të veçantë nostalgjie dhe emocioni.
Ishte një rikthim në kohë, në vitet kur këto këngë shoqëronin një brez të tërë dëgjuesish dhe kur muzika rok po krijonte identitetin e saj në hapësirën shqiptare. Grupet si “Telex” sollën një frymë të re muzikore, kudo ku jetoni shqiptarët.
Pas performancës, Jakupi ka shprehur vlerësimin e tij për organizimin e festivalit “Akordet e Kosovës” nga Radiotelevizioni i Kosovës. Ai ka treguar se, ndonëse nuk e konsideron veten shumë të lidhur me festivalet, ftesën e drejtorit artistik Florent Boshnjaku e kishte pranuar menjëherë.
“Disa këngë konkuruese i dëgjova dhe sa herë që më pëlqen një këngët, gjithmonë them: kjo është bota ime. Unë nuk jam shumë natyrë e festivaleve, edhe pse një herë kam konkurruar në ‘Akordet e Kosovës’, në vitet e 80-ta. Kësaj radhe u riktheva si mysafir pas ftesës që më bëri drejtori artistik Florent Boshnjaku, të cilën e pranova menjëherë, natyrisht”, ka thënë ai.
Me humor, Jakupi ka lënë të hapur edhe mundësinë e rikthimit në skenën e Prishtinës, duke thënë se tani, si pensionist, ka më shumë kohë për të kënduar, nëse publiku do ta dëshironte një paraqitje të tillë. Ai ka bërë të ditur se është duke punuar edhe në disa projekte, por pa zbuluar më shumë detaje.
Entuziazmin për përvojën në festival, këngëtari e ka shprehur edhe përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, ku ka vlerësuar organizimin, ekipin teknik, orkestrën dhe punën e Florent Boshnjakut në aranzhimet muzikore.
“Pata disa ditë fantastike në Festivalin ‘Akordet e Kosovës’. Prej stafit, ndriçimit, soundit, ishte krejt në nivel të lartë. Ishte hera e parë që këndova me In-Ear Monitoring edhe ishte shumë qartë. Orkestra ishte fantastike, aranzhimi i Florent Boshnjakut shumë, shumë i mirë. Ky Festival nuk është i muzikës zbavitëse, por i muzikës moderne pop-rock”, ka shkruar Jakupi.
Ai është ndalur veçanërisht te talentet e reja që morën pjesë në festival, duke shprehur admirimin për fituesen, Troja Bicurrin.
“Me qenë me këtë rini të bukur dhe të talentuar, më bëri të ndjehem 20 vjet ma i ri. Fituesja i ka 15 vjet, këngën vetë e komponoi. Ej, 15 vjet! Ne duhemi me qenë krenarë që kemi talentë”, ka shkruar ai.
“Telex”, një emër i rëndësishëm i rokut shqiptar
Sejat Jakupi është një nga emrat që lidhen ngushtë me historinë e rokut shqiptar. Grupi “Telex”, i formuar në vitin 1979, u bë një prej formacioneve më të njohura të muzikës shqiptare gjatë viteve ’80, duke lënë gjurmë me këngët dhe stilin e tij.
Në vitet 1982 dhe 1983, “Telex” u shpall grupi i vitit në valët e Radiotelevizionit të Prishtinës, ndërsa më 1984 u nderua me “Mikrofonin e Artë”. Edhe shumë dekada pas krijimit, kontributi i grupit vazhdon të vlerësohet. Në vitin 2024, “Telex”, së bashku me disa prej grupeve më të njohura të viteve ’80, u dekorua nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me Medaljen Presidenciale për rolin e tyre në skenën kulturore të Kosovës.
Paraqitja e Sejat Jakupit në “Akordet e Kosovës” ishte më shumë se një interpretim muzikor. Ishte rikthim i një pjese të historisë së rokut shqiptar dhe dëshmi e lidhjes së veçantë që publiku vazhdon të ketë me muzikën e tij. Vitet kanë kaluar, por në sallën e festivalit, publiku i këndoi bashkë me të këngët që dikur shoqëruan një brez të tërë. Një takim mes artistit, muzikës dhe kujtesës kolektive, që e ktheu skenën e “Akordeve të Kosovës” në një udhëtim të bukur në kohë.























