Apple refuzon parapagimin e aplikacionit qeveritar në Indi
BKT
Tech

Apple refuzon parapagimin e aplikacionit qeveritar në Indi

Sh.Ç|RTKlive

Apple nuk ka ndërmend të zbatojë urdhrin e ri të qeverisë indiane që kërkon parapagimin e një aplikacioni shtetëror të sigurisë kibernetike në të gjithë smartphone-ët e rinj dhe ekzistues, kanë deklaruar për Reuters tre burime të njohura me çështjen.

Vendimi i qeverisë ka ngritur shqetësime të thella për mbikëqyrje dhe akses të shtuar shtetëror në pajisjet e qytetarëve.

Sipas urdhrit, dërguar konfidencialisht prodhuesve të mëdhenj si Apple, Samsung dhe Xiaomi, kompanitë duhet të instalojnë aplikacionin Sanchar Saathi brenda 90 ditësh në të gjitha pajisjet e reja. Për telefonat që tashmë ndodhen në treg, aplikacioni duhet të shtyhet përmes përditësimeve të softuerit, dhe prodhuesit janë të detyruar të sigurojnë që aplikacioni të mos çaktivizohet nga përdoruesit.

Ministria e Telekomunikacionit e konfirmoi masën, duke e etiketuara si një përgjigje ndaj “kërcënimeve serioze” të sigurisë kibernetike, veçanërisht në lidhje me telefonat e vjedhur, pajisjet me IMEI të manipuluar dhe keqpërdorimin e rrjeteve. Megjithatë, kritikët e qeverisë së kryeministrit Narendra Modi e kanë cilësuar urdhrin si intruziv dhe potencialisht të rrezikshëm për privatësinë, shkruan Reuters.

Opozita në Parlament shpërtheu në kritika të martën, duke e quajtur aplikacionin një “mjet të mundshëm spiunimi”. Deputeti i Partisë së Kongresit, Rahul Gandhi, deklaroi se do ta trajtojë këtë çështje në seancën parlamentare, ndërsa zyrtari i lartë i Kongresit, KC Venugopal, reagoi në rrjetet sociale duke thënë se “Vëllai i Madh nuk mund të na vëzhgojë”.

Dy burime brenda industrisë thanë se Apple do t’ia paraqesë zyrtarisht shqetësimet e saj qeverisë, duke theksuar se kompania nuk pranon mandate të tilla në asnjë treg global, pasi ato krijojnë rreziqe serioze për integritetin e sistemit operativ iOS dhe për privatësinë e përdoruesve. “Apple nuk mund ta bëjë këtë. Pikë,” tha një prej burimeve.

Kompania nuk pritet ta çojë çështjen në gjykatë, por konsideron se zbatimi i urdhrit do të hapte cenueshmëri të reja të sigurisë. Qeveria indiane tashmë ka një konflikt të hapur me Apple për një çështje antitrust, në të cilën kompania rrezikon një gjobë potenciale që mund të arrijë deri në 38 miliardë dollarë.

Ndërkohë, prodhues të tjerë si Samsung po e studiojnë urdhrin, megjithëse deri tani nuk kanë dhënë komente zyrtare. Burime nga industria thonë se qeveria ka lëshuar mandatin pa u konsultuar paraprakisht me kompanitë.

Në një deklaratë, Ministria e Telekomunikacionit theksoi se aplikacioni është i domosdoshëm në një treg ku pajisjet e përdorura dhe telefonat e vjedhur regjistrojnë numra të lartë qarkullimi.


MË SHUME NGA Tech