Italia dhuron 30 paleta me dezinfektues për QKUK-në, vlera 80 mijë euro
K. K. / RTKlive
Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK) ka pranuar një donacion të rëndësishëm nga Italian Civil Protection nga Italia, i cili përfshin 30 paleta me dezinfektues për duar, me vlerë të përgjithshme rreth 80 mijë euro.
SHSKUK thotë se donacioni përfshin po ashtu, të gjitha shpenzimet e transportit dhe logjistikës të mbuluara nga pala italiane.
Në këtë ngjarje morën pjesë, ambasadori i Italisë në Kosovë, Maurizio Antonini, ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, drejtori i përgjithshëm i ShSKUK-së, Elvir Azizi, u.d. drejtori i QKUK-së, Mentor Zejnullahu.
“Ky kontribut vjen si pjesë e bashkëpunimit të vazhdueshëm mes Italisë dhe Kosovës në fushën e shëndetësisë dhe është pjesë integrale e projektit “Mbështetje për sistemin shëndetësor të Kosovës”, përmes të cilit Italia ka ndihmuar në ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe teknike brenda SHSKUK-së”, thuhet në njoftim.
Me këtë rast, ambasadori i Italisë në Kosovë, Maurizio Antonini, theksoi se ky donacion është dëshmi e partneritetit të fortë dhe solidaritetit mes dy vendeve, duke kujtuar mbështetjen e vazhdueshme italiane në fusha si kardiologjia, kardiokirurgjia, laboratori i mikrobiologjisë, si dhe ndihmën emergjente gjatë pandemisë COVID-19.
Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Vitia shprehu mirënjohjen e institucioneve shëndetësore të vendit për këtë mbështetje, duke theksuar se bashkëpunimi me ekspertët italianë ka mundësuar avancimin e shërbimeve, sidomos në trajtimin e fëmijëve me sëmundje të zemrës dhe në përgatitjen e profesionistëve shëndetësorë, por theksoj edhe ndihmën e madhe që dha Italia gjatë pandemisë së Covid-19.
Nga Italian Civil Protection, prezent ishte Arzen Sehiti, i cili mori pjesë në dorëzim-pranim të donacionit.























