Shënohet 7-vjetori i themelimit të Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës
Sh.G|RTKlive
Në programin e mëngjesit të RTK-së, Kujtim Salihu, drejtor menaxhues i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, foli për shënimin e 7-vjetorit të themelimit të këtij institucioni profesional.
“Si sot e 7 vjet më herët, më 17 dhjetor 2018, me iniciativën e profesorit Rifat Latifi, bashkë me disa prej shoqatave kirurgjikale ekzistuese në atë kohë, u krijua Kolegji i Kirurgëve të Kosovës. Është themeluar sipas modelit amerikan. Më duhet ta sqaroj këtë, sepse shpesh ka keqkuptim kur thuhet ‘kolegj’, duke u menduar si institucion arsimor, por në fakt është institucion që ndihmon në avancimin e shkencës dhe praktikës kirurgjikale në Kosovë”, tha Salihu.
Ai theksoi se fillimisht ka pasur sfida në bindjen e kirurgëve për t’u bërë anëtarë dhe për të kontribuar në punën e kolegjit.
“Ka qenë sfiduese në fillim që kirurgët të binden të jenë anëtarë të kolegjit dhe të punojnë për të, por sot kemi krijuar mbi 22 komunitete pune që merren me organizimin e aktiviteteve të ndryshme. Kolegji ka kryesinë, bordin e përfaqësuesve dhe si organizatë është i konsoliduar”, u shpreh Salihu.























