Pavarësia energjetike premtohet nga AAK në Gjakovë
Qëndresa Duraku / RTK
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka mbajtur tubim elektoral në qytetin e Gjakovës.
Në këtë tubim kandidati për kryeministër dhe njëherësh kryetar i AAK-së, Ramush Haradinaj renditi një sërë projektesh infrastrukturore, që sipas tij, kanë mbetur të papërfunduara e të cilat do të shtyhen përpara nëse AAK merr besimin e qytetarëve, duke theksuar rëndësinë e zhvillimit ekonomik dhe lidhjeve infrastrukturore për rajonin e Dukagjinit.
“Nëse çmimet kanë dalë nga kontrolla është e kot rritja e pagës sepse nuk mund ta zësh koston e jetës. Por nëse prodhojmë energji në Kosovë, hyjmë në NATO atëherë vetvetiu rritja e pagave ndërlidhet me dyfishimin e pagave dhe të shtesave”, tha ai.
Në fjalën e tij, Haradinaj përsëriti se pavarësia energjetike, energjia e qëndrueshme, gazsjellësi dhe ndërtimi i centralit me gaz janë ndër prioritetet kryesore të programit të tij qeverisës.
Kandidati për kryeministër nga AAK ka vlerësuar gjithashtu listën e deputetëve të këtij subjekti politik, duke e cilësuar si më cilësoren në Kosovë. Ai ka thënë se lista përbëhet nga profesionistë me përgatitje akademike dhe se shumica e kandidatëve janë të rinj, të bashkuar nga, siç u shpreh ai, dashuria për vendin.
Haradinaj ka përshëndetur edhe pjesëmarrjen e mërgatës në tubim, duke bërë thirrje për dalje masive në zgjedhje dhe përkrahje për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.























