Hamza në Podujevë premton mirëqenie, lehtësira për biznese e rritje pagash
Donika Sherifi/ RTK
Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur tubimin elektoral edhe në Podujevë. Kandidati për kryeministër nga kjo parti, Bedri Hamza, në tubimin përmbyllës për këtë komunë, premtoi reformën e TVSH-së, lehtësira për biznese, energji më të lirë dhe infrastrukturë moderne. Ai po ashtu premtoi rritje të pensioneve për familjet e dëshmorëve, fond 30 milionë eurosh për studentë, anëtarësim në NATO, statusin e vendit kandidat dhe kthimin e marrëdhënieve strategjike me SHBA-në.
“Ne para qytetarëve garojmë me një program që i adreson nevojat e qytetarëve, shtylla e parë është reforma e TVSH-së, subvencione e grante pa kthim. Bizneset që investojnë më shumë se 50 mijë euro, vitet e para do të lirohen nga pagesa e tatimit. Do t'i legalizojmë objektet e ndërtuara", tha ai.
Duke folur për mërgatën, Hamza tha se ata kanë kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin e Kosovës. Po ashtu, Hamza përsëriti, që nëse nuk i realizon këto premtime në fillin të mandatit, do të jap dorëheqje nga pozita e kryeministrit.
“Fondi i papunësisë, një i punësuar nëse humb venin e punë nuk shkon në asistencë sociale po shteti do t'ia garantojë për 6 muaj, 80% zë së fundit, do të ndërtojmë gjykatën e punës, infrastrukturë e spitale e kjo nuk është risi për PDK. Do t'i rrisim pagat 50% për mësues, arsimtar, mjek, polic, ushtar zjarrfikës shërbyes civil, të gjithë ata që realizojnë paga përmes buxhetit të shtetit dhe nëse nuk ndodh kjo unë në fund të vitit nuk jam në zyrën e kryeministrit”.
Hamza premtoi stimulim për prindër e rinj, studentët me fond 30 milionë eurosh që të kenë mundësi të studiojnë, anëtarësim ne NATO, njohje të reja, statusin e vendit kandidat dhe kthimin e marrëdhënieve strategjike me SHBA-të. Ai nuk la pa përmendur edhe kategoritë e dala nga lufta e UCK-së, duke premtuar rritje të pensioneve për familjet e dëshmorëve. Në këto zgjedhje, në listën garuese të PDK-së, janë tre kandidatë nga Podujeva.























