Abdixhiku në Lipjan premton shtrirjen e rrjetit të gazit amerikan
Visar Shatrolli / RTK
Para përkrahësve të tij, në komunën e Lipjanit, kandidati për kryeministër nga radhët e LDK-së, Lumir Abdixhiku deklaroi se vendi ka nevojë për ndryshime e shpresë dhe se sipas tij shpresa e vetme që e këndell Kosovën është LDK me planin qeverisës të saj.
Ai tha se vizioni i tij e ka zhvillimin ekonomik dhe përkrahjen e mirëqenien për gjithsecilin.
“Në edukim do t’i bëjmë 80 çerdhe në gjithë Kosovën. Në Lipjan do ta bëjmë realitet mësimin gjithëditor. Me programin tonë politik, mësuesit do ta kenë menjëherë koeficientin 150. Për të gjithë të punësuarit në sektorin publik: 1 mijë euro në muaj për mësuesit, 1 mijë euro për infermierët, 90 euro për policët, ushtarët dhe zjarrfikësit”, tha ai.
Abdixhiku tutje sqaroi se në qendër të programit politik të LDK-së, mbetet familja e që në qeverisjen e tij, përsëriti se do ta themelojnë Ministrinë e familjes, duke premtuar përkrahjen për të çdo të ri e të re dhe shtrirjen e rrjetit të gazit amerikan në gjithë Kosovën.
“6–12 muaj nga 500 euro pagë për çdo të ri e të re të diplomuar. Gjysmë miliardi euro për shëndetësi, duke investuar në ndërtimin e infrastrukturës shëndetësore. Gazifikimi i vendit përmes linjës amerikane”, premtoi ai.
Duke kërkuar votën e banorëve te Lipjanit për LDK, tha se kjo parti është forca që e ka ndërtuar shtetin dhe sot ajo do të jetë sërish shpresa reale e vendit.























