Gjermani: Thirrje për ndalimin e mediave sociale për fëmijët
BKT
Tech

Gjermani: Thirrje për ndalimin e mediave sociale për fëmijët

DW

Celularët vazhdojnë të jenë dhurata më preferuar e fetstave të fundvitit. Por Ministri federal gjerman i Çështjeve Digjitale kërkon kufizim moshe për mediat sociale.

Ministri gjerman i Çështjeve Digjitale, Karsten Wildberger (CDU), është i hapur për ndalimin e mediave sociale për fëmijët në Gjermani, ngjashëm me modelin e Australisë. "Më duket shumë tërheqëse si ide. Në këtë rast unë e konsideroj çështjen e kufizimit të moshës më shumë se të justifikuar", i tha ai Agjencisë Gjermane të Shtypit dpa.

Studimet, vëzhgimet dhe prezantimet tregojnë se sa thellë ndikojnë mediat sociale në zhvillimin e të rinjve. "Pyetja tani është: si t'u mundësojmë atyre një zhvillim të shëndetshëm, ashtu siç e patën brezat e mëparshëm pa mediat sociale? Se cila është mosha e përshtatshme duhet të diskutohet e peshohet mirë", shtoi ai, duke iu referuar një komisioni ekspertësh që ka krijuar qeveria gjermane lidhur me "Mbrojtjen e Fëmijëve dhe të Rinjve në Botën Digjitale".

Ekspertët pritet të paraqesin propozime deri në verë

Komisioni, i përbërë nga studiues dhe punonjës nga fusha e mjekësisë, punonjës socialë dhe kujdestarë të të rinjve, nisi punën në vjeshtë dhe pritet t'i paraqesë rekomandimet e veta deri në verë. Këto rekomandime do të lidhen, ndër të tjera, me kufizime të mundshme për moshën për lejimin e mediave sociale dhe çështjen shumë të diskutuar të ndalimit të telefonave celularë në shkolla.

Wildberger: "Ua kemi borxh fëmijëve"

Edhe në këtë pikë, Ministri gjerman për Çështjet Digjitale është në favor të një qasjeje mjaft të rreptë: "Të ulesh një ose dy orë për të mësuar me vëmendje dhe të mos shpërqendrohesh është parakusht themelor për zhvillimin e fëmijëve. Prandaj, mendoj se jo vetëm që është e arsyeshme, por ua kemi borxh edhe fëmijëve që ta kenë këtë mundësi", tha Wildberger. Ai theksoi se koha e lirë është gjithashtu e domosdoshme për fëmijët. Në debate të tilla është e rëndësishme të dëgjojmë ata që merren çdo ditë me këtë gjë – dhe ata janë mësuesit.

Wildberger është Ministri i parë federal i Gjermanisë për Çështjet Digjitale. Ai është gjithashtu përgjegjës për modernizimin e shtetit dhe reduktimin e burokracisë. Kancelari Friedrich Merz e mori në kabinetin e tij ish-drejtorin ekzekutiv të koncernit MediaMarkt-Saturn nga bota e biznesit.

Që nga 10 dhjetori, fëmijëve dhe adoleshentëve nën 16 vjeç në Australi u është ndaluar të kenë llogaritë e tyre në shumë platforma kryesore të mediave sociale. Qeveria australiane synon të mbrojë me këtë hap të rinjtë nga ngacmimet kibernetike, konsumi problematik dhe përmbajtjet e dëmshme.


MË SHUME NGA Tech