Ekipi i emisionit RTK TECH në konferencën Hannover Messe Press Preview 2026
BKT
Tech

Ekipi i emisionit RTK TECH në konferencën Hannover Messe Press Preview 2026

RTK Tech

Ditë më parë në Hanover u organizua eventi prezantues i panairit më të madh industrial në botë, ku morën pjesë rreth 100 gazetarë nga Evropa dhe rajone të tjera të globit. Në këtë konferencë ishte i pranishëm edhe gazetari i emisionit RTK Tech, Driton Beqiri.

Edicioni i sivjetmë i ‘Hannover Messe’ do të mbahet nga 20 deri më 24 prill, nën moton “Think Tech Forward”.

Organizatorët theksuan se industria globale po hyn në një pikë kthese, e nxitur nga zhvillimet e shpejta të inteligjencës artificiale dhe sfidat gjeopolitike. Kryetari i bordit drejtues të Deutsche Messe AG, Dr. Jochen Köckler, deklaroi se panairet industriale pasqyrojnë gjithmonë gjendjen e tregjeve dhe se kompanitë duhet të veprojnë me optimizëm përballë ndryshimeve të shpejta teknologjike.

Sipas tij, inteligjenca artificiale po kalon nga teoria në zbatim praktik në fabrika, duke rritur efikasitetin dhe produktivitetin. Një rol gjithnjë e më të madh pritet të ketë edhe “AI fizike”, ku teknologjia kalon nga ekranet në botën reale, përfshirë robotët humanoidë që po bëhen realitet.

Edicioni i vitit 2026 do të sjellë edhe risi organizative. Hapësirat e panairit do të ndahen në tri fusha kryesore: Automatizim dhe Digjitalizim, Energji dhe Infrastrukturë Industriale, si dhe Kërkim e Transfer Teknologjie. Një sektor i veçantë do t’i kushtohet prodhimit për mbrojtjen, një industri në rritje të shpejtë në Evropë. Gjithashtu do të ketë formate të reja si masterklasa, tryeza diskutimi dhe takime të shpejta biznesi, si dhe prezantime nga kompani të mëdha teknologjike dhe startup-e.

Partneri zyrtar i këtij viti është Brazili, i cili do të përfaqësohet me rreth 140 ekspozues dhe një delegacion prej 300 kompanish. Presidenti brazilian Luiz Inácio Lula da Silva pritet të vizitojë panairin, së bashku me kancelarin gjerman Friedrich Merz.

Ambasadori i Brazilit në Gjermani theksoi se bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve po forcohet, veçanërisht në sektorët e energjisë së gjelbër, industrisë së qëndrueshme dhe transformimit digjital. Brazili synon të bëhet një prodhues dhe eksportues i rëndësishëm i hidrogjenit me emetime të ulëta dhe produkteve industriale të gjelbra, ndërsa një plan i ri kombëtar për inteligjencën artificiale synon ta kthejë vendin në lider global në përdorimin inovativ të AI.

Panairi, i cili ka afro tetë dekada histori, vazhdon të mbetet platforma kryesore ndërkombëtare ku prezantohen teknologjitë që do të formësojnë industrinë e së ardhmes. Në edicionin e sivjetmë pritet pjesëmarrje e gjerë e kompanive multinacionale, si dhe fokus i veçantë në zbatimin real të inteligjencës artificiale në prodhim.

Për herë të parë, koncepti i inteligjencës artificiale fizike do të jetë një nga temat qendrore të panairit Hannover Messe. Ky term i referohet sistemeve të AI që ndërveprojnë drejtpërdrejt me botën reale, duke u integruar në makina, sisteme industriale dhe robotë.

Në fokus janë zgjidhjet, ku softueri lidhet ngushtë me pajisjet fizike dhe merr vendime autonome në mjediset e prodhimit. Kjo e kthen inteligjencën artificiale në një forcë konkrete prodhuese brenda fabrikave, duke rritur efikasitetin dhe automatizimin.

Sipas drejtuesit të Deutsche Messe AG, Dr. Jochen Köckler, ndikimi do të shihet veçanërisht tek robotët industrialë dhe humanoidë, të cilët po bëhen gjithnjë e më të avancuar. Vizitorët do të kenë mundësi të shohin nga afër këto teknologji në stendat e kompanive të robotikës, ku AI nuk mbetet më vetëm në teori, por vepron drejtpërdrejt në makineri dhe procese prodhimi.

Gjatë Konferences Press Preview 2026 të Hannover Messe, ekipi i gazetareve ndërkombëtare vizituan selinë dhe objektet prodhuese të gjigantit te energjisë dhe elektrifikimit, Phoenix Contact në Blomberg të Gjermanisë. Vizita ofroi një pasqyrë të qartë mbi të ardhmen e elektrifikimit, automatizimit dhe industrisë së qëndrueshme.

Me të ardhura vjetore rreth 3.3 miliardë euro dhe mbi 20 mijë punonjës në mbarë botën, kompania festoi së fundmi 100-vjetorin, duke ruajtur njëkohësisht identitetin e saj familjar dhe vizionin afatgjatë te kompanisë. Gjatë sesionit në hapje, COO Ulrich Leidecker theksoi sfidat globale që po formësojnë industrinë: mbirregullimin, deglobalizimin, zinxhirët e brishtë të furnizimit, tensionet gjeopolitike dhe presionet klimatike, duke nënvizuar nevojën për fleksibilitet, inovacion dhe qëndrueshmëri.

Një nga pikat kryesore ishte koncepti All Electric Society Factory, model për një ekosistem industrial plotësisht të elektrifikuar dhe automatizuar. Ai demonstron integrimin e energjisë diellore, asaj të erës dhe qelizave të karburantit në procese industriale përmes automatizimit të avancuar, monitorimit digjital dhe menaxhimit inteligjent të energjisë. Implementimi i rrjeteve inteligjente DC, me fokus në efikasitet më të lartë dhe reduktim të humbjeve të konvertimit, u paraqit si një hap konkret drejt qëndrueshmërisë industriale.

Vizita përfshiu gjithashtu Qendrën Teknike të E-Mobilitetit, parkun inovativ të karikimit, sistemet diellore dhe zgjidhjet e avancuara AC–DC, sisteme plotësisht funksionale, të integruara në infrastrukturë reale. Në sektorin e ndërtimit të kabineteve të kontrollit, prezantimi mbi optimizimin e proceseve prodhuese dëshmoi standardet e larta të inxhinierisë gjermane dhe transformimin digjital të prodhimit tradicional.

Kjo vizitë shërbeu si një parathënie e fortë për temat qendrore të panairit: inteligjenca artificiale, digjitalizimi, elektrifikimi dhe ekosistemet industriale të qëndrueshme. Mesazhi ishte i qartë, tranzicioni energjetik dhe transformimi industrial nuk janë më vizion, por realitet operacional.


MË SHUME NGA Tech