Rritet interesi për IVF në QKUK
Shqipe Gashi|RTKlive
Në programin e mëngjesit në Radio Televizioni i Kosovës (RTK), përmes një lidhjeje të drejtpërdrejtë nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), ishte i ftuar Leandrit Bejtullahu, shef i IVF në Klinikën e Gjinekologjisë, i cili foli për ecurinë e këtij shërbimi të ri në sektorin publik.
Bejtullahu theksoi se hapja e shërbimit të fertilizimit të asistuar (IVF) në QKUK ka qenë një nevojë e kahershme për qytetarët, duke pasur parasysh se më parë kjo procedurë ofrohej vetëm në spitalet private.
“Ky shërbim ka qenë shumë i nevojshëm. Deri tash është ofruar vetëm në sektorin privat, ndërsa tani po ofrohet edhe në spitalin shtetëror. Deri më tani kemi pasur 2,980 çifte të interesuara, çka tregon për një kërkesë shumë të lartë”, deklaroi ai.
Sipas tij, pavarësisht sfidave fillestare, shërbimi po zhvillohet me sukses dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare.
“Ka pasur vështirësi dhe sfida, pasi është një proces i ri, por çdo fillim është i tillë. Megjithatë, po vazhdojmë me sukses. Kemi pasur tashmë raste të shtatzënisë, që është dëshmi se procedurat po realizohen sipas parimeve dhe standardeve bashkëkohore”, tha Bejtullahu.
Ai bëri të ditur se aktualisht shumica e pacienteve që po kërkojnë këtë shërbim janë mbi moshën 40-vjeçare, si dhe çifte që më parë kanë provuar pa sukses në klinikat private ose nuk kanë pasur mundësi financiare për ta realizuar procedurën.
Ofrimi i IVF-së në sektorin publik konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt rritjes së qasjes së barabartë në shërbimet shëndetësore për qytetarët e Kosovës.























