IKSHPK: Rreziku nga Hantavirusi në Kosovë mbetet shumë i ulët
BKT
Shëndetësi

IKSHPK: Rreziku nga Hantavirusi në Kosovë mbetet shumë i ulët

Emine Hoti/RTKlive

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar qytetarët se situata lidhur me infeksionin me hantavirus në Kosovë mbetet e qëndrueshme dhe me rrezik shumë të ulët për popullatën.

Sipas të dhënave të Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (European Centre for Disease Prevention and Control – ECDC), deri më 6 maj 2026 janë raportuar disa raste me hantavirus në një anije kroçierë në Atlantikun Jugor, përfshirë edhe raste fatale. Në disa mostra është identifikuar virusi Andes (ANDV), i cili qarkullon kryesisht në Amerikën Jugore dhe mund të transmetohet nga njeriu te njeriu vetëm në kushte të kontaktit të ngushtë dhe të zgjatur.

IKSHPK thekson se transmetimi nga njeriu te njeriu ndodh vetëm pas kontaktit të ngushtë dhe të zgjatur dhe nuk përhapet lehtë. Autoritetet shëndetësore kanë zbatuar masa parandaluese në anije, ndërsa rreziku për popullatën e përgjithshme mbetet shumë i ulët.

Instituti bën të ditur se ethet hemorragjike me sindromë veshkore, të shkaktuara nga hantaviruset, nuk janë sëmundje e re në Kosovë dhe numri i rasteve të raportuara ndër vite mbetet i ulët dhe i qëndrueshëm. Gjatë periudhës 2021–2025 në Kosovë janë raportuar gjithsej tetë raste.

Hantaviruset transmetohen nga brejtësit te njerëzit, kryesisht përmes kontaktit me urinën, fekalet ose pështymën e brejtësve të infektuar. Simptomat përfshijnë temperaturë, lodhje, dhimbje muskujsh dhe në raste më të rënda dëmtim të veshkave ose probleme respiratore.

Sipas IKSHPK-së, më të rrezikuar janë punonjësit e pyjeve, fermerët dhe personat që punojnë në ambiente ku ka prani të brejtësve. Aktualisht nuk ekziston vaksinë e licencuar kundër Hantavirusit në Evropë dhe nuk ka trajtim specifik antiviral.

Instituti rekomandon shmangien e kontaktit me brejtësit, pastrimin dhe ventilimin e ambienteve të mbyllura, si dhe përdorimin e maskave dhe dorezave gjatë pastrimit të hapësirave ku mund të ketë brejtës.


MË SHUME NGA Shëndetësi