Kosova në Konferencën Kombëtare të Shkencave Mjekësore në Tiranë
RTK
Në Tiranë po zhvillohet Konferenca Kombëtare e Shkencave Mjekësore, ku studiues dhe profesionistë të fushës janë mbledhur për të prezantuar punimet e tyre shkencore. Ky takim ka në fokus inovacionin, inteligjencën artificiale dhe transformimin modern të mjekësisë.
Në këtë ngjarje marrin pjesë edhe përfaqësues nga Kosova, të cilët po prezantojnë punimet e tyre me nivel të lartë shkencor.
Verona Rrahmani, Dorentina Zogu dhe Sead Ahmetaj po përfaqësojnë Kosovën me tema që lidhen me inteligjencën artificiale, digjitalizimin dhe transformimin modern të sistemit shëndetësor.
Përmes kërkimeve dhe prezantimeve të tyre, ata synojnë të sjellin ide inovative që kontribuojnë në përmirësimin e diagnostikimit dhe trajtimit të sëmundjeve, veçanërisht në fushën e onkologjisë.
Punimet e paraqitura theksojnë potencialin e teknologjisë për të rritur efikasitetin në shërbimet shëndetësore dhe për të ofruar qasje më moderne në kujdesin ndaj pacientëve, duke sjellë një vizion bashkëkohor dhe human për të ardhmen e mjekësisë.























