MSh në forumin e UNICEF-it për shërbimet për nënat dhe fëmijët
BKT
Shëndetësi

MSh në forumin e UNICEF-it për shërbimet për nënat dhe fëmijët

Valbona Thaçi / RTKLive

Ministria e Shëndetësisë ka marrë pjesë në takimin ndër-rajonal të organizuar nga UNICEF në Sofia, i cili iu kushtua programit të financimit të sistemeve të vizitave në shtëpi për nënat dhe fëmijët nga mosha 0 deri në 3 vjeç, si dhe ndërhyrjeve në fëmijërinë e hershme.

Gjatë takimit u diskutuan praktikat më të mira dhe modelet e financimit të shërbimeve të vizitave në shtëpi për nënat dhe fëmijët, me fokus të veçantë në qëndrueshmërinë financiare dhe planifikimin afatgjatë të këtyre programeve.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, rezultatet e arritura nga Kosova në këtë fushë u vlerësuan ndër më të mirat në rajon, veçanërisht për stabilitetin dhe vazhdimësinë e financimit të këtyre shërbimeve.

Ministria ka theksuar se pjesëmarrja në këtë takim përbën një mundësi të rëndësishme për shkëmbim përvojash, forcim të bashkëpunimit rajonal dhe avancim të politikave dhe shërbimeve që mbështesin zhvillimin e hershëm të fëmijëve dhe mirëqenien e familjeve në vend.


MË SHUME NGA Shëndetësi