IKSHPK: Rrezik i ulët nga Ebola, apel për kujdes në udhëtime
Valbona Thaçi / RTKLive
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar qytetarët lidhur me situatën e sëmundjes Ebola, veçanërisht për ata që udhëtojnë ose kthehen nga Republika Demokratike e Kongos dhe Uganda.
Në njoftim thuhet se “Kosova nuk ka raportuar asnjë rast të konfirmuar të Ebolës dhe aktualisht nuk ka dëshmi për transmetim lokal të virusit”, duke theksuar se “rreziku për popullatën e Kosovës mbetet shumë i ulët”.
IKSHPK u ka bërë thirrje udhëtarëve drejt zonave të prekura që të informohen paraprakisht për situatën epidemiologjike dhe të zbatojnë masa parandaluese, përfshirë shmangien e kontaktit me gjakun dhe lëngjet trupore të personave të infektuar, ruajtjen e higjienës së duarve dhe shmangien e kontaktit me kafshët e egra apo konsumimin e mishit të tyre.
Po ashtu rekomandohet shmangia e marrëdhënieve seksuale të pambrojtura dhe hyrja në shpella, miniera apo zona ku jetojnë lakuriqët e natës.
Për personat që kthehen nga Republika Demokratike e Kongos dhe Uganda, IKSHPK thekson se “çdo person duhet të monitorojë gjendjen e tij shëndetësore për 21 ditë”, duke qenë i vëmendshëm ndaj simptomave si temperaturë, lodhje e rëndë, dhimbje koke, dhimbje muskulore, të vjella, barkqitje dhe shenja hemorragjike.
Në rast shfaqjeje simptomash, qytetarëve u kërkohet të shmangin kontaktin me të tjerët dhe të kontaktojnë menjëherë shërbimet shëndetësore, duke informuar për historinë e udhëtimit.
Sipas të dhënave të përmendura në njoftim, nga fillimi i majit deri më 1 qershor 2026, në Republikën Demokratike të Kongos janë raportuar 321 raste të konfirmuara me Ebola, përfshirë 48 vdekje, ndërsa në Ugandë 15 raste të konfirmuara, përfshirë një vdekje.
Po ashtu theksohet se Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka shpallur situatën emergjencë ndërkombëtare të shëndetit publik, ndërsa rreziku për Evropën mbetet shumë i ulët.























