Jep dorëheqje drejtoresha e Klinikës së Nefrologjisë |VIDEO
Alban Selimi/RTK
Drejtoresha e Klinikës së Nefrologjisë, Mimoza Bërbatovci-Ukimeraj, ka dhënë dorëheqje nga pozita e saj, vetëm pak ditë pasi RTK publikoi një hulumtim ku u konstatua mosfunksionimi i pajisjeve mjekësore për biopsinë e veshkës, si dhe i një mikroskopi shumë të rëndësishëm për këtë klinikë.
Qendra Klinike Universitare e Kosovës e ka konfirmuar dorëheqjen përmes një përgjigjeje me shkrim, duke bërë të ditur përmes zëdhënëses Mirlinda Qyqalla se kërkesa është në procedurë administrative dhe po trajtohet sipas rregullave në fuqi.
Burime të RTK-së bëjnë të ditur se dorëheqja është paraqitur në këtë periudhë të ndjeshme për klinikën dhe lidhet edhe me mosfunksionalizimin e këtyre pajisjeve. Megjithatë, nuk janë dhënë detaje zyrtare për arsyet konkrete të largimit.
Në QKUK nuk janë përgjigjur as nëse largimi i Ukimerajt lidhet me rastin e pajisjeve të raportuara më herët.
Ndërkohë, drejtoresha tashmë e dorëhequr, Mimoza Bërbatovci Ukimeraj, në një njoftim publik të publikuar në mbrëmje në Facebook, ka thënë se vendimi i saj erdhi pas presioneve të vazhdueshme gjatë ushtrimit të detyrës.
“Ky vendim vjen pas një periudhe të gjatë përpjekjesh për të ushtruar detyrën me profesionalizëm, integritet dhe transparencë, në rrethana të karakterizuara nga mungesa e bashkëpunimit institucional me strukturat udhëheqëse të SHSKUK-së dhe QKUK-së, si dhe nga presionet e vazhdueshme që kanë cenuar pavarësinë time profesionale dhe kanë pamundësuar ushtrimin normal të përgjegjësive që burojnë nga kjo pozitë”, ka shkruar ajo.
Në reagimin e saj, ajo ka renditur edhe një sërë arritjesh gjatë pesë viteve në krye të Klinikës së Nefrologjisë.
“Gjatë këtyre pesë viteve kam pasur nderin të udhëheq Klinikën e Nefrologjisë me përkushtim, transparencë dhe përgjegjësi profesionale. Kam arritur të realizoj një sërë projektesh dhe zhvillimesh me rëndësi për pacientët dhe sistemin shëndetësor”, ka theksuar ajo.
Mes projekteve që veçon janë funksionalizimi i Qendrës së Hemodializës në Rahovec, fillimi i ofrimit të shërbimit të hemodializës në Poliklinikën e Podujevës, vendosja e matjes së niveleve të barnave imunosupresive, si dhe pajisja me leje ndërtimore e objektit të ri të Klinikës së Nefrologjisë me Hemato-Onkologji.























