Nis liga e parë botërore e dueleve mes robotëve humanoidë
Bardhyl Bajrami /RTK
Në qytetin Shenzhen është zhvilluar liga e parë në botë e ndeshjeve luftarake për robotë humanoidë, një garë që synon të testojë aftësitë e inteligjencës artificiale dhe teknologjitë që pritet të përdoren në robotët e së ardhmes.
Qyteti kinez priti edicionin e parë të ligës ndërkombëtare të quajtur Ultimate Robot Knock-out Legend (URKL). Në këtë garë morën pjesë mbi 200 ekipe nga Kina, Shtetet e Bashkuara, Singapori dhe vende të tjera, ndërsa vetëm 32 prej tyre arritën të sigurojnë një vend në fazën finale.
Robotët zhvillojnë duele kikboksi në një arenë tetëkëndore, ndërsa të gjitha ekipet përdorin të njëjtin model roboti humanoid, EngineAI T800. Gjyqtarët vlerësojnë kontrollin e lëvizjeve, ekuilibrin, vendimmarrjen përmes inteligjencës artificiale, sistemet e energjisë dhe qëndrueshmërinë strukturore.
Fituesi i garës do të shpërblehet me një fond prej 10 milionë juanësh, ose rreth 1.48 milionë dollarë.
Themeluesi i kompanisë EngineAI, Zhao Tongyang, tha se këto gara ndihmojnë në zhvillimin e sensorëve, inteligjencës artificiale, rrjeteve nervore dhe sistemeve të lëvizjes, duke krijuar bazën për robotët që në të ardhmen mund të përdoren edhe në shtëpi.
Ndërkohë, kompania UBtech Robotics vlerëson se robotët që kryejnë punë shtëpiake mund të bëhen realitet brenda pesë deri në dhjetë vjet, pasi teknologjitë aktuale po i bëjnë ata gjithnjë e më të aftë për të kuptuar dhe bashkëvepruar me njerëzit.























